POSTIMET E FUNDIT

Kosova dhe Gjermania konfirmojnë partneritetin e ngushtë për integrimin evropian

Prishtinë – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Gjatë takimit, Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës në proceset e shtetndërtimit, konsolidimit demokratik dhe integrimit në strukturat evropiane dhe ndërkombëtare.

Sipas njoftimit për media, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve, duke vlerësuar rolin e Gjermanisë si një ndër mbështetëset më të fuqishme të Kosovës në momente vendimtare të zhvillimit të saj.

Haxhiu nënvizoi se Gjermania vazhdon të mbetet një aleat kyç i Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Ajo veçoi integrimin evropian, zhvillimin ekonomik, sigurinë, sundimin e ligjit, arsimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm si sektorë ku bashkëpunimi mund të avancojë më tej.

Në takim u ritheksua gjithashtu përkushtimi i Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe standardeve evropiane, si dhe rëndësia e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e pozicionit të vendit në arenën ndërkombëtare.

U.d. Presidentja vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë si një faktor të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, duke shprehur besimin se partneriteti mes dy vendeve do të vazhdojë të forcohet edhe në të ardhmen, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB