POSTIMET E FUNDIT

Prokuroria dhe Policia e Kosovës forcojnë koordinimin për mbrojtjen e integritetit të votës

Prishtinë – Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë intensifikuar bashkëpunimin institucional për garantimin e një procesi zgjedhor të rregullt, të sigurt dhe transparent, duke ndërmarrë masa shtesë për mbrojtjen e integritetit të votës.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, së bashku me menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari, zhvilluan një takim pune me përfaqësues të lartë të Policisë së Kosovës për të diskutuar mbarëvajtjen dhe sigurinë e procesit zgjedhor.

Në takim morën pjesë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, kolonel Florie Hajra nga Departamenti i Hetimeve dhe nënkolonel Arbnesh Ajvazi nga Departamenti i Rendit Publik.

Sipas njoftimit zyrtar, fokusi i takimit ishte planifikimi dhe koordinimi i aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, me synim parandalimin dhe trajtimin e çdo parregullsie që mund të cenojë procesin zgjedhor.

Prokurorja Pula bëri të ditur se tashmë janë caktuar ekipet kujdestare nga sistemi prokurorial, të cilat do të jenë në gatishmëri për të trajtuar rastet e mundshme të shkeljeve zgjedhore. Edhe Policia e Kosovës ka aktivizuar ekipet e saj operacionale për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit.

Gjatë takimit u diskutua edhe për rastet e raportuara të qytetarëve, kryesisht nga diaspora, të cilët kanë fotografuar ose incizuar votën e tyre gjatë votimit me postë dhe më pas i kanë publikuar këto materiale në rrjetet sociale.

Autoritetet kanë bërë të ditur se disa persona janë identifikuar dhe rastet e tyre janë duke u verifikuar nga organet kompetente. Prokuroria dhe Policia paralajmëruan se çdo veprim që bie ndesh me ligjin zgjedhor do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Institucionet u bënë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat zgjedhore dhe të mos publikojnë votën e tyre në asnjë formë, duke theksuar se ruajtja e fshehtësisë së votës është një nga parimet themelore të procesit demokratik.

Në përfundim të takimit, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës rikonfirmuan përkushtimin e tyre për bashkërendim të vazhdueshëm dhe reagim të shpejtë ndaj çdo parregullsie, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të besueshme, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB