Mirë se vini në qytetin që nuk fle kurrë, Nju Jorkun, një nga metropolet më ikonike dhe më të vizituara në botë. Me rreth 8.5 milionë banorë, qyteti më i populluar i Shteteve të Bashkuara vazhdon të jetë një qendër globale e kulturës, ekonomisë dhe turizmit.
Qyteti është i njohur për monumentet e famshme botërore mes të cilave Statuja e Lirisë që tërheq miliona turistë çdo vit. Por tani, vëmendja ndërkombëtare po përqendrohet edhe më shumë tek rajoni i Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, të cilët po bëhen gati për të pritur Kupën e Botës 2026. Stadiumi MetLife, i cili gjatë turneut do të njihet si stadiumi i Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, do të presë tetë ndeshje të Kupës së Botës, përfshirë edhe finalen e madhe më 19 korrik 2026. Turneu do të nisë më 11 qershor dhe do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, një kompeticion që do të transmetohet ekskluzivisht në TV kombëtar Klan.
Autoritetet lokale po organizojnë pesë zona të mëdha falas për tifozët në të gjitha lagjet kryesore të qytetit. Këto zona do të ofrojnë transmetime të drejtpërdrejta të ndeshjeve, aktivitete kulturore, programe argëtuese dhe hapësira për komunitetin, duke krijuar atmosferën e një feste globale të futbollit.
Edhe transporti publik është pjesë e planit të madh organizativ. Të gjithë linjat e trenave të lidhin me stadiumin, ndërsa çmimi i biletës vajtje-ardhje për tifozët është ulur nga 150 në 98 dollarë.
Me përgatitjet që vazhdojnë çdo ditë, Nju Jorku po bëhet gati të mirëpresë miliona tifozë nga e gjithë bota dhe të jetë një nga qendrat kryesore të spektaklit më të madh të futbollit botëror, transmeton tvklan.




