BallinaDiasporaKonsulli Berisha forcon lidhjet me profesionistët e mërgatës, takim me Agron Beqirin

Konsulli Berisha forcon lidhjet me profesionistët e mërgatës, takim me Agron Beqirin

-

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Cyrih, 21 tetor 2026 – Shefi i Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, ka pritur sot në ambientet e konsullatës mërgimtarin e suksesshëm Agron Beqiri, drejtor i shkollës së lartë profesionale “BZWT – Bildungszentrum für Wirtschaft und Technik” në Zvicër. Takimi u fokusua në mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore zvicerane dhe atyre të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në arsimin dhe aftësimin profesional.

Duke e vlerësuar këtë takim si një mundësi për të forcuar lidhjet me profesionistët e suksesshëm të mërgatës shqiptare, z. Berisha e përshkroi takimin me këto fjalë:

“Kishim kënaqësinë të mirëpresim në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Agron Beqiri, drejtor i shkollës së lartë profesionale ‘BZWT – Bildungszentrum für Wirtschaft und Technik’ në Zvicër. z. Beqiri ushtron funksionin e drejtorit të shkollës (Schulleiter) dhe ligjëruesit të lartë (Senior Dozent), ndërsa profili i tij profesional lidhet edhe me ‘Kalaidos Fachhochschule Schweiz’. BZWT është institucion i orientuar drejt arsimit dhe formimit profesional, me programe në fusha të tilla si logjistika, menaxhimi i cilësisë dhe optimizimi i proceseve industriale. Përmes programeve të specializuara dhe formave fleksibile të mësimdhënies, institucioni synon të mbështesë avancimin profesional dhe zhvillimin e kompetencave në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Gjatë takimit diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, veçanërisht në fushën e programeve profesionale, shkëmbimit të njohurive dhe përvojave akademike, si dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta. Bashkëbiseduam për mundësitë e krijimit të lidhjeve ndërmjet institucioneve arsimore, shkëmbimit të përvojave dhe zhvillimit të iniciativave konkrete që kontribuojnë në avancimin e arsimit dhe aftësimit profesional. E falënderuam z. Beqiri për vizitën dhe për gatishmërinë për të shqyrtuar mundësi të reja bashkëpunimi në këtë fushë.”

Mërgata, urë lidhëse mes Kosovës dhe Zvicrës

Takimi me z. Agron Beqiri vë në pah rëndësinë e potencialit profesional të mërgatës shqiptare dhe rolin që profesionistët e suksesshëm mund të luajnë në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Përvoja e z. Beqiri në drejtimin e një institucioni të arsimit të lartë profesional në Zvicër paraqet një mundësi për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave të avancuara në fushën e arsimit profesional, një sektor me rëndësi të veçantë për përgatitjen e të rinjve dhe zhvillimin e tregut të punës. Bashkëpunimet e këtij lloji mund të krijojnë hapësira të reja për partneritete ndërinstitucionale, zhvillimin e programeve profesionale dhe realizimin e projekteve të përbashkëta, duke kontribuar në afrimin e mëtejshëm të institucioneve arsimore të Kosovës me përvojat dhe standardet e sistemit zviceran. Takimi në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Cyrih dëshmon rëndësinë e mbajtjes së lidhjeve të vazhdueshme me mërgatën dhe të angazhimit të profesionistëve shqiptarë në iniciativa që mbështesin zhvillimin arsimor dhe profesional të vendit të origjinës.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Protesta masive në Tiranë, qytetarët thirrje për mobilizim para Kuvendit: “Nesër...

0
TIRANË – Protesta e qytetarëve dhe studentëve kundër qeverisë vijon në kryeqytet, ku demonstruesit janë zhvendosur në Sheshin Skënderbej, pasi marshuan nga Kryeministria. Protestuesit...