Qytetarët e Kosovës do të kenë më të lehtë të pajisen me vizë turistike për të udhëtuar drejt Mbretërisë së Arabisë Saudite, pas një vendimi të ri të autoriteteve saudite. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila njoftoi se Arabia Saudite ka miratuar kalimin e Kosovës nga Grupi B në Grupin A, ku përfshihen shtetet, qytetarët e të cilave përfitojnë nga procedurat e lehtësuara për pajisjen me vizë.
Njoftimi:
Lehtësime për pajisjen me vizë për Mbretërinë e Arabisë Saudite
Autoritetet e Mbretërisë së Arabisë Saudite kanë miratuar kalimin e Republikës së Kosovës nga Grupi B në listën e vendeve të Grupit A, shtetasit e të cilave përfitojnë nga procedurat e lehtësuara për pajisjen me vizë.
Ky vendim u mundëson shtetasve të Republikës së Kosovës të pajisen me vizë elektronike ose me vizë në mbërritje, për qëllime turistike.
Ky zhvillim përbën një lehtësim konkret për udhëtimet e qytetarëve tanë dhe shënon një hap pozitiv në forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite./BS










