Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim dy kongresistët amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë në kuadër të një turi rajonal në Ballkan.
Vizita e delegacionit amerikan po zhvillohet në një periudhë të rëndësishme për rajonin, me fokus në çështjet e stabilitetit, marrëdhënieve ndëretnike dhe procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimeve zyrtare, kongresistët amerikanë një ditë më parë kanë vizituar edhe Luginën e Preshevës, ku janë njohur nga afër me pozitën e shqiptarëve dhe zhvillimet politike në atë pjesë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizata të shoqërisë civile dhe mekanizma ndërkombëtarë të sigurisë që veprojnë në vend.
Ndërkohë, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të presë po ashtu kongresistët amerikanë në një takim të veçantë në Qeverinë e Kosovës.
Vizita e zyrtarëve amerikanë konsiderohet si një tregues i vazhdimit të interesimit dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimet politike dhe sigurinë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, transmeton rtk.




