POSTIMET E FUNDIT

Islam Sadiku prek zemrat e mërgimtarëve me dedikimin për nënën: “Malli për ty nuk shuhet kurrë”

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare dhe asamblisti i qytetit të Arbonit në Zvicër, Islam Sadiku, këto ditë po qëndron në vendlindje, por kësaj here kthimi i tij do të jetë më ndryshe nga herët e tjera. Një postim prekës i publikuar nga ai në rrjetet sociale ka ngjallur emocione të mëdha te bashkatdhetarët në mërgatë, veçanërisht tek ata që sot nuk e kanë më nënën pranë për t’i pritur si dikur me mall e dashuri në pragun e shtëpisë.

Fjalët e Islam Sadikut janë të mbushura me dhembje, mall dhe dashuri të pafund për nënën e ndjerë, duke u bërë një mesazh i fuqishëm dhe frymëzues për brezin e ri mbi vlerën e prindit dhe dashurinë që duhet treguar ndaj nënës dhe babait sa janë gjallë.

Në rrëfimin e tij emocional, Sadiku përshkruan kthimin në vendlindje pa zërin dhe përqafimin e nënës që dikur ia largonte mallin e mërgimit dhe lodhjen e rrugës. Ai shkruan se shtëpia dhe oborri ishin aty, çdo cep mbante kujtimet dhe aromën e saj, por mungesa e nënës peshonte më shumë se çdo heshtje.

“Nënë… erdha, por kësaj here nuk të gjeta aty ku më prisje gjithmonë me zemër të hapur e me sytë plot mall. Shtëpia ishte aty, oborri ishte aty, çdo cep mbante erën tënde, por ti mungoje…”, shprehet ai ndër të tjera në dedikimin që ka prekur zemrat e mijëra njerëzve.

Postimi i tij nuk është vetëm një dhimbje personale, por një ndjenjë që e kupton pothuajse çdo mërgimtar shqiptar. Malli për prindërit, kthimi në shtëpi dhe boshllëku që lë mungesa e tyre janë plagë të heshtura që i bartin shumë bashkatdhetarë larg atdheut.

Me një gjuhë të ndjerë dhe plot shpirt, Islam Sadiku kujton se nëna e tij tashmë “ka ndërruar vendbanim”, duke u bërë engjëlli mbrojtës i familjes. Ai shpreh bindjen se dashuria e nënës nuk shuhet as pas largimit fizik dhe se kujtimi për të do të jetojë përherë në zemrën e tij.

“Hija jote endet në çdo qoshe të shtëpisë, në çdo derë që hapej për ne me dashuri, në çdo kujtim që na mban gjallë shpirtin”, shkruan ai, duke prekur thellë ndjenjat e lexuesve.

Ky mesazh i veçantë i veprimtarit nga Arbona e Zvicrës është një thirrje e heshtur për të gjithë të rinjtë që t’i duan dhe t’i respektojnë prindërit sa i kanë pranë. Në një kohë kur jeta ecën me ritëm të shpejtë dhe mërgimi shpesh krijon distanca të mëdha emocionale, fjalët e Islam Sadikut rikujtojnë se dashuria e nënës mbetet streha më e shenjtë e shpirtit njerëzor.

Në fund të dedikimit të tij prekës, ai shkruan:

“Ti do të jetosh përherë në zemrën time, derisa të jem në këtë adresë të jetës… e një ditë, kur Zoti të na bashkojë përsëri, do të vij edhe unë në adresën tënde të re. Pusho e qetë, Nënë e dashur… malli për ty nuk shuhet kurrë.”

Një mesazh që nuk la askënd pa emocione dhe që do të mbetet gjatë në zemrat e mërgimtarëve shqiptarë. Shpirti i saj bëftë dritë në përjetësi e Ty i nderuar, perendia ta freskoftë zemrën ! (Foto nga I.S)

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB