POSTIMET E FUNDIT

Shoqata Atlantiku mbështet fuqishëm protestën e studentëve shqiptarë për gjuhën shqipe në RMV

Nju Jork, 20 maj 2026 – Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shoqata “Atlantiku” shprehu përkrahjen e plotë për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë respektimin e të drejtës kushtetuese për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

Në një deklaratë të publikuar sot, në linkun e saj, shoqata thekson se gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë historike, kombëtare dhe kushtetuese. 

“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e veta dhe si faktor shtetformues në Maqedoninë e Veriut, nuk duhet të detyrohen ta diskutojnë ende të drejtën e dygjuhësisë”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë e Shoqatës Atlantiku:

«Shoqata Atlantiku shpreh përkrahjen e plotë për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në mbrojtje të të drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe. Gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë historike, kombëtare dhe kushtetuese. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e veta dhe si faktor shtetformues në Maqedoninë e Veriut, nuk duhet të detyrohen ta diskutojnë ende të drejtën e dygjuhësisë.

Çdo përpjekje për ta kufizuar, relativizuar apo mohuar gjuhën shqipe është vazhdimësi e një mendësie të vjetër antishqiptare, e cila ka prodhuar padrejtësi, tensione dhe provokime të panevojshme.

Politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë rajonin duhet të reagojë fuqishëm, me unitet dhe përgjegjësi kombëtare. Kjo çështje duhet të garantohet qartë me ligj dhe të mbrohet edhe nga Bashkimi Evropian, sepse pa respektimin e të drejtave të shqiptarëve nuk mund të ketë paqe, stabilitet dhe drejtësi në rajon.»

Studentët shqiptarë kanë dalë në protesta pas përpjekjeve të reja për të kufizuar përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe arsimore. Kjo çështje ka nxitur debate të ashpra politike dhe ka rritur tensionet ndëretnike. Shoqata Atlantiku vlerëson se çdo kufizim i gjuhës shqipe është jo vetëm antikushtetues, por edhe destabilizues për vendin dhe rajonin. Ajo u bën thirrje partive politike shqiptare që të veprojnë të bashkuara dhe kërkon që Bashkimi Evropian të marrë një qëndrim të qartë në mbrojtje të të drejtave të pakicave.

Në përfundim, Shoqata Atlantiku thotë se respektimi i plotë i të drejtave gjuhësore të shqiptarëve mbetet kusht i domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë të Maqedonisë së Veriut dhe për integrimin e saj evropian./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB