POSTIMET E FUNDIT

Flamure Ibrahimi nderohet me çmimin ndërkombëtar “ServCollab Scholarship 2026”

Flamure Ibrahimi, vajzë me prejardhje nga Presheva, ka arritur një sukses të madh akademik në arenën ndërkombëtare duke u shpërblyer me bursën prestigjioze “ServCollab Scholarship 2026”. Ky çmim u jepet doktorantëve të dalluar që zhvillojnë kërkime shkencore me ndikim të rëndësishëm për shoqërinë dhe njerëzimin.

Flamure është doktorante në fushën e menaxhimit të shërbimeve dhe marketingut në Université de Namur në Belgjikë, ku zhvillon studimet e saj doktorale nën mentorimin e profesorëve të njohur ndërkombëtarisht. Hulumtimet e saj fokusohen në korrupsionin në sistemet e shërbimeve dhe ndikimin që ai ka tek qytetarët, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme dhe të pafavorizuara të shoqërisë.

Tema e saj trajton mënyrën se si korrupsioni në institucionet dhe shërbimet publike mund të pengojë qasjen e njerëzve në të drejtat bazë, dinjitetin dhe mirëqenien sociale. Përmes kërkimeve të saj, Flamure synon të kontribuojë në ndërtimin e sistemeve më të drejta, më humane dhe më gjithëpërfshirëse.

Ky sukses është edhe më domethënës duke pasur parasysh historinë personale të Flamures. Ajo është vajzë e një familjeje refugjatësh që kanë rindërtuar jetën e tyre me shumë sakrificë. Pikërisht kjo përvojë e ka frymëzuar të angazhohet në kërkime që lidhen me drejtësinë sociale dhe barazinë në shoqëri.

Në deklaratën e saj pas marrjes së bursës, Flamure Ibrahimi u shpreh se ky vlerësim nuk është vetëm një sukses akademik, por edhe një motivim i madh për të vazhduar punën e saj në shërbim të njerëzve dhe brezave të ardhshëm.

Organizata ndërkombëtare ServCollab, e cila ndan këtë bursë, është një nga institucionet më të njohura në botë në fushën e kërkimeve mbi shërbimet dhe ndikimin e tyre në mirëqenien e njerëzve.

Suksesi i Flamure Ibrahimit përfaqëson një krenari të madhe për Preshevën dhe për gjithë shqiptarët, duke dëshmuar se të rinjtë nga trevat shqiptare po arrijnë rezultate të jashtëzakonshme në universitetet dhe institucionet më prestigjioze ndërkombëtare, transmeton preshevacom, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB