Zvicra po hyn zyrtarisht në një periudhë të gjatë verore, me temperatura që pritet të kalojnë 30 gradë Celsius në shumë rajone të vendit gjatë ditëve në vijim. Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund të zgjasë deri në fillim të muajit qershor, megjithëse sipas tyre nuk bëhet fjalë për një “vapë përvëluese” tipike, transmeton 20min.ch. Pas një të mërkure me mot pjesërisht të vranët dhe reshje të izoluara, moti në Zvicër do të ndryshojë ndjeshëm duke filluar nga e enjtja. Qielli do të pastrohet dhe temperaturat do të rriten gradualisht në të gjithë territorin. Të premten, termometri pritet të shënojë mbi 25 gradë në shumicën e zonave të ulëta të vendit, ndërsa fundjava do të sjellë temperatura edhe më të larta.
Sipas parashikimeve, qytete si Gjeneva, Cyrihu, rajoni i Aargaut dhe Ticino mund të përjetojnë temperaturat e para mbi 30 gradë që këtë fundjavë. Në disa zona të veçanta, si Sittertobel, temperaturat mund të arrijnë deri në 31 gradë Celsius. Meteorologu Peter Wick shpjegon se kjo situatë atmosferike po shkaktohet nga një sistem i fuqishëm me presion të lartë, i cili po vendoset mbi Zvicër dhe pritet të dominojë motin për disa ditë me radhë. Ai thekson se nuk parashikohet ndonjë ndryshim i madh i motit gjatë javës së ardhshme. Megjithatë, Wick përpiqet të qetësojë qytetarët duke sqaruar se, edhe pse temperaturat do të jenë tipike verore apo edhe “verë e nxehtë”, kushtet nuk pritet të shndërrohen në vapë ekstreme. Një nga faktorët kryesorë është lagështia relativisht e ulët e ajrit, e cila bën që temperaturat të ndihen më të përballueshme.
Po ashtu, netët do të mbeten relativisht të freskëta. Deri të dielën, temperaturat gjatë natës pritet të zbresin në 10 deri 13 gradë, ndërsa javën tjetër në rreth 15 gradë Celsius. Kjo do të mundësojë ajrosjen e mirë të banesave dhe një pushim më të rehatshëm gjatë natës. Një element tjetër që ndihmon në zbutjen e vapës është edhe era e lehtë “Bise”, e cila herë pas here sjell freski dhe ndihmon trupin të përballojë më mirë temperaturat e larta.
Ndërsa për njerëzit situata konsiderohet ende e menaxhueshme, ekspertët shprehin shqetësim për ndikimin që vala e të nxehtit mund të ketë mbi natyrën dhe ekonominë. Temperaturat e larta, dielli i fortë dhe mungesa e reshjeve po thajnë me shpejtësi tokën në shumë zona të Zvicrës. Sipas meteorologëve, pranvera e këtij viti ka qenë relativisht e thatë dhe rezervat ujore nuk janë rikuperuar plotësisht. Kjo mund të sjellë pasoja serioze për bujqësinë, prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet dhe të rrisë rrezikun e zjarreve në pyje gjatë verës. Në vitet e fundit, Zvicra është përballur disa herë me nivele të ulëta të ujit në liqenet artificiale dhe me zjarre pyjore, veçanërisht në kantonet jugore. Për këtë arsye, autoritetet po ndjekin nga afër zhvillimin e situatës meteorologjike në javët e ardhshme, transmeton20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.




