
Përgatiti Dashnim HEBIBI
Një tjetër histori suksesi nga trojet shqiptare po bën jehonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I riu pejan, Arti Hajdari, vetëm 20 vjeç, ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera studimet në një nga universitetet më prestigjioze të teknologjisë informative në SHBA, duke dëshmuar talent, përkushtim dhe vizion për të ardhmen.

Arti, i lindur dhe i rritur në Amerikë, vjen nga një familje e njohur me prejardhje nga Dukagjini.
Babai i tij, një emër i respektuar në qarqet ndërkombëtare, ushtron detyrë të rëndësishme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York. Edukata familjare, përkushtimi ndaj dijes dhe ruajtja e identitetit kombëtar kanë qenë shtyllat kryesore që e kanë shoqëruar Artin në rrugën e tij drejt suksesit.
Ceremonia e diplomimit ishte madhështore dhe emocionuese.
Në mesin e shumë akademikëve, profesorëve dhe personaliteteve të universitetit, Arti nuk harroi rrënjët dhe origjinën e tij shqiptare. Në momentin kur mori diplomën, ai përshëndeti me krenari familjen e tij në Amerikë dhe në Kosovë, veçanërisht xhaxhain e tij, Prof. Dr. Petrit Hajdari dhe gjyshin, si dhe të gjithë bashkëkombësit shqiptarë kudo që ndodhen në botë. Me simbolin e shqiponjës dykrenare, Arti dha një mesazh të fuqishëm krenarie kombëtare dhe dashurie për atdheun. Ky sukses i jashtëzakonshëm i të riut nga Peja është dëshmi se rinia shqiptare po arrin majat e dijes dhe shkencës në arenën ndërkombëtare. Shumëkush beson se ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të tij akademik dhe profesional, pasi Arti synon të vazhdojë studimet deri në arritjen e titullit më të lartë shkencor – doktor i shkencave.

Universiteti ku ai përfundoi studimet njihet për standardet tepër të larta akademike dhe për kostot e konsiderueshme financiare, ku studiojnë vetëm studentët më të përkushtuar dhe më ambiciozë.
Fakti që një i ri shqiptar arriti të shkëlqejë në një institucion të tillë prestigjioz është krenari jo vetëm për familjen Hajdari, por për gjithë kombin shqiptar.
Suksesi i Artit është gjithashtu një dëshmi e fuqishme se mërgata shqiptare po bëhet çdo ditë e më shumë faktor i rëndësishëm dhe pozitiv në shtetet ku jeton dhe vepron. Shqiptarët po dëshmojnë vlera në arsim, shkencë, diplomaci dhe teknologji, duke ngritur lart emrin e kombit tonë. Pavarësisht jetës dhe angazhimeve në SHBA, Arti shpreh vazhdimisht dëshirën që një ditë të vijë në Kosovë, të vizitojë vendlindjen e të parëve të tij, të takojë gjyshin, xhaxhain, kushërinjtë dhe të gjithë bashkëkombësit në trojet shqiptare. Ai mbetet shembull frymëzimi për të rinjtë shqiptarë kudo që ndodhen, se me punë, dije dhe përkushtim mund të arrihen majat më të larta të suksesit.




