POSTIMET E FUNDIT

FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, gazeta “Dielli”, mbarë vatranët e shqiptaro-amerikanët përkujtojnë me mirënjohje dhe respekt të veçantë Dalip Grecën editorin epokal të gazetës Dielli 2009-2021.

Kontributi i Dalip Grecës në Federatën “Vatra”, gazetën “Dielli”, median shqiptare dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë i paharrueshëm.

Për mbi dy dekada në Amerikë, gazetari Greca ishte pikë e pashmangshme reference mediatike e komunitare. Ai ishte zëri i fortë mediatik, pena e fuqishme letrare, bindja e fuqishme intelektuale dhe energjia e pashtershme atdhetare në shërbim të çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar.

Intelektual i klasit të lartë, penë e spikatur, sy kritik e analitik, patriot e veprimtar i shquar, vatran i përkushtuar, aktivist i flaktë i çështjes kombëtare e kauzave që mbrojti besnikërisht, e skalisin emrin e Dalip Grecës me gërma të arta në historinë e “Vatrës”, “Diellit” e shqiptarëve të Amerikës.

Z.Greca kultivoi një gazetari patriotike, kulturore dhe historike.

Z. Greca si kronikan serioz e i përkushtuar u kthye në arkivin e gjallë dhe memorien e paharruar të të gjitha ngjarjeve patriotike, komunitare dhe atdhetare të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai ishte model i gazetarit të angazhuar.

Luftoi për gazetari cilësore dhe anatemoi padrejtësinë, mediokritetin, qokën dhe kalemxhinjtë me pagesë.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në media dhe karrierën e gjatë e suksesshme në gazetari, Dalip Greca mori vlerësime e nderime të larta nga Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Këshilli Bashkiak i New York e shoqata të ndryshme patriotike shqiptaro-amerikane.

Dalip Greca la pas një trashëgimi të shkëlqyer. Qoftë i përjetshëm nderimi dhe kujtimi për jetën dhe veprën e editorit Dalip Greca. /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB