Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë (EFTA), Kurt Jäger, njofton helveticALForum.ch ku në qendër të diskutimeve ishte Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe vendeve anëtare të EFTA-s.
Takimi, i zhvilluar në Gjenevë, u fokusua në rëndësinë strategjike të marrëveshjes së miratuar nga Kuvendi i Kosovës në muajin prill, e cila konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe forcimit të marrëdhënieve tregtare me shtetet anëtare të EFTA-s: Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn.

Gjatë bisedimeve u vlerësua se hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje pritet të sjellë përfitime të shumta për ekonominë e Kosovës, duke krijuar mundësi të reja për bizneset vendore, rritjen e eksporteve dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Po ashtu, u theksua se marrëveshja do të ndihmojë kompanitë kosovare të kenë qasje më të lehtë në tregjet evropiane të vendeve të EFTA-s, duke rritur konkurrueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve kosovare në arenën ndërkombëtare.
Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e avancimit të integrimit ekonomik të Kosovës në tregjet evropiane, si dhe për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe tregtar me partnerët ndërkombëtarë.
Përfaqësuesit e të dyja palëve e cilësuan këtë marrëveshje si një moment të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për krijimin e një klime më të favorshme për investime dhe bashkëpunim rajonal e ndërkombëtar, transmeton Konsullata e Përgjithshme e Kosovës, përcjell helveticALForum.ch.




