Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, së bashku me shefin e Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, kanë zhvilluar një takim të rëndësishëm me Fehim Abazi, me rastin e zgjedhjes së tij në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër.
Lajmin e bëri të ditur z. Vigan Berisha, i cili e cilësoi takimin si një moment të rëndësishëm bashkëpunimi dhe koordinimi institucional me komunitetin shqiptar në Zvicër.
“Kishim kënaqësinë e veçantë që sot, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Mentor Latifi, të realizojmë një takim me z. Fehim Abazi, me rastin e zgjedhjes së tij në postin e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMShZ). Me këtë rast, i uruam suksese në përgjegjësitë e reja dhe shprehëm bindjen se bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët do të vazhdojnë edhe më tej”, ka deklaruar Berisha.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe komunitetit shqiptar në Zvicër, si dhe për rolin që organizatat komunitare dhe fetare luajnë në ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar të diasporës shqiptare, transmeton helveticALForum.ch.




