Përgatiti Dashnim HEBIBI
Të rrallë janë njerëzit që punojnë e kontribuojnë pa hile, pa interes personal dhe pa prapavijë. Akoma më të rrallë janë ata që për dekada të tëra japin nga vetja në heshtje, vetëm nga dashuria për kombin, historinë dhe gjeneratat që do të vijnë. Njëri prej tyre është pa dyshim Daut Luboja, një veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, i cili me kamerën dhe fotoaparatin e tij ka dokumentuar një pjesë të rëndësishme të historisë sonë në mërgatë. Ai jeton e vepron me familje në Zvicër dhe njihet me modestinë e tij.
Për më shumë se tri dekada, Dauti ka qenë prezent pothuajse në çdo aktivitet me rëndësi kombëtare, kulturore, sportive apo festive. Nga protestat e fuqishme të mërgatës shqiptare në vitet më të vështira për Kosovën e deri te organizimet e sotme kulturore e përkujtimore, ai ka qenë aty, gjithmonë në heshtje, duke regjistruar momente që sot kanë vlerë historike.

Kam thënë edhe më parë dhe e them sërish me bindje të plotë: Daut Luboja e njeh alfabetin e kamerës më mirë se shumë të tjerë. Ai nuk e sheh kamerën thjesht si pajisje teknike, por si një mision për të ruajtur kujtesën kombëtare. Në objektivin e tij nuk janë vetëm pamjet, por emocionet, sakrifica, krenaria dhe historia jonë.
Dauti posedon një arkiv të jashtëzakonshëm fotografish dhe incizimesh nga periudha të ndryshme të aktivitetit të mërgatës shqiptare. Janë mijëra momente të ruajtura me kujdes e shpirt, të cilat tregojnë rrugëtimin tonë kombëtar ndër vite. Fatkeqësisht, institucionet tona kulturore nuk e kanë ditur gjithmonë ta vlerësojnë këtë pasuri të madhe. Sikur ministritë e kulturës në Kosovë ta kishin kuptuar me kohë rëndësinë e kësaj pune, sot shumë prej këtyre materialeve do të trajtoheshin si një thesar kombëtar.
Por njerëzit si Dauti nuk punojnë për lavdi apo përfitime. Ata punojnë sepse e ndjejnë obligim moral ndaj kombit dhe historisë. Pikërisht kjo e bën figurën e tij edhe më të veçantë.
Së fundmi, Daut Luboja u nderua me mirënjohje nga organizatorët e Akademisë Përkujtimore të UÇPMB-së, akademia e vetme në gjithë diasporën që mbahet pandërprerë tash e më shumë se 20 vjet, duke kujtuar dëshmorët dhe sakrificën e tyre për liri.
Ajo që e bën edhe më domethënës kontributin e tij është fakti se ai nuk priste ftesë për të qenë prezent.
Ai erdhi vetë, me dëshirën dhe ndërgjegjen e tij kombëtare, duke thënë:
“Ata djem kanë dhënë jetën për flamurin dhe gjuhën shqipe, dhe unë dua të jem aty duke kontribuar.”
Këto fjalë tregojnë më shumë se çdo dekoratë apo mirënjohje. Tregojnë shpirtin e një njeriu që e ka dashur kombin pa zhurmë, pa reklama dhe pa interesa.
Sot, kur shumë gjëra harrohen shpejt, puna e Daut Lubojës mbetet dëshmi e gjallë e historisë sonë. Ai nuk ka qenë vetëm fotograf apo kameraman; ai ka qenë kronikan i heshtur i një kohe, ruajtës i kujtesës sonë kolektive dhe dëshmitar i sakrificës së popullit shqiptar.
Respekt dhe mirënjohje të veçantë për Daut Lubojën.
Njerëz si ai nuk kanë nevojë vetëm për falënderime, por për vlerësim të përhershëm, sepse puna e tyre është pasuri kombëtare.




