Shqipëria dhe Franca po thellojnë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, me fokus te reforma në sistem, modernizimi i legjislacionit penal dhe lufta kundër krimit të organizuar. Kjo u theksua gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp mes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu dhe homologut francez, Gérald Darmanin, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë. Ministri Gogu e cilësoi vizitën si një moment të rëndësishëm për të treguar nga afër progresin e Shqipërisë në një dekadë reformë në drejtësi, duke theksuar ndarjen e saj nga politika dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve. “Është puna e një shoqërie të tërë për të ristrukturuar drejtësinë dhe për ta çuar drejt standardeve europiane”, u shpreh ai. Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve shtrihet në disa drejtime konkrete, nga rishikimi i Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, te forcimi i kapaciteteve në sistemin e magjistraturës. Në këtë kuadër, një rol kyç luan partneriteti mes Shkollës së Magjistraturës në Shqipëri dhe asaj franceze, i cili u rinovua gjatë kësaj vizite. Nga ana e tij, ministri francez Gérald Darmanin vlerësoi reformat “jashtëzakonisht ambicioze dhe mbresëlënëse” që Shqipëria ka ndërmarrë në drejtësi, duke theksuar rëndësinë e shtetit të së drejtës për integrimin europian të vendit.
“Jemi shumë të lumtur që t’ju mbështesim përmes ekspertëve, magjistratëve dhe profesorëve tanë në rishikimin e legjislacionit penal”, deklaroi ai, duke shtuar se Franca do të vijojë të jetë një partner aktiv në këtë proces. Një tjetër fokus i bashkëpunimit është lufta kundër krimit të organizuar, ku të dy vendet synojnë të thellojnë koordinimin, veçanërisht në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale. Darmanin vlerësoi gjithashtu praktikat shqiptare në këtë drejtim, duke theksuar se ato mund të shërbejnë si model edhe për Francën.
Në deklaratë u theksua edhe rëndësia e zgjerimit të bashkëpunimit në sistemin penitenciar, si dhe në shkëmbimin e informacionit dhe inteligjencës. Vizita e ministrit francez në Tiranë vjen në një moment kyç për Shqipërinë, në prag të Kongresit Botëror të Ligjit që do të mbahet në kryeqytet në vitin 2027, duke e vendosur vendin në qendër të dialogut ndërkombëtar për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës, transmeton kjone.




