Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të tërheqë trupat amerikane nga Gjermania pas një përplasjeje verbale me kancelarin gjerman Friedrich Merz.
I zemëruar nga deklarata e Merzit se SHBA-të ishin “poshtëruar” nga Irani, Trump ka lënë të kuptohet se mund të zhvendosë forcat amerikane drejt Evropës Lindore ose madje në Groenlandë, sipas burimeve të brendshme.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, ai shkroi se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë reduktimin e trupave në Gjermani dhe se një vendim pritet të merret së shpejti.
Burime të afërta me administratën kanë sugjeruar se trupat mund të dërgohen në Poloni, Rumani, Lindjen e Mesme ose Groenlandë, një opsion që do të shkaktonte alarm në Evropë, duke pasur parasysh se Trump ka përmendur më herët mundësinë e aneksimit të ishullit, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.
Përplasja nisi pasi Merz deklaroi se delegacioni amerikan ishte ndjerë i turpëruar pas dështimit të bisedimeve të paqes në Islamabad më 12 prill, duke thënë se “një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja iraniane”.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e një strategjie daljeje nga administrata Trump, duke e krahasuar me përvojat e dhimbshme të SHBA-së në Afganistan dhe Irak. Trump reagoi ashpër, duke e akuzuar Merzin se “nuk e di për çfarë po flet” dhe duke shtuar se “nuk është çudi që Gjermania po ecën kaq keq”.
Megjithatë, Merz ka insistuar se marrëdhënia e tij personale me presidentin amerikan mbetet e mirë, edhe pse ka pasur dyshime që nga fillimi për luftën në Iran. Lidhjet e Trump me udhëheqësit evropianë janë përkeqësuar, pasi ata kanë rezistuar ndaj përfshirjes në konfliktin e SHBA-së dhe Izraelit me Iranin.
Ai ka kritikuar publikisht Kryeministrin britanik Keir Starmer për refuzimin e përdorimit të bazave britanike nga bombarduesit amerikanë, si dhe Kryeministren italiane Giorgia Meloni për mungesë “guximi”.
Trump po shqyrton gjithashtu masa ndëshkuese ndaj NATO-s, pasi aleatët refuzuan kërkesën e tij për të dërguar anije luftarake në Ngushticën e Hormuzit.
Një nga idetë e tij është vendosja e një “modeli pagesë për të luajtur”, që mund të kufizojë rolin e aleatëve në vendimmarrje, përfshirë edhe kur blloku shkon në luftë, transmeton rtsh.




