Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua për herë të parë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti njoftoi për takimin duke thënë se e ka falenderuar Trump-in për ngritjen e valës së investimeve në mbrojtje në NATO, ku edhe Kosova duhet të anëtarësohet.
“Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kisha nderin që të takoj për herë të parë Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald J. Trump.
E falënderova për ngritjen e valës së investimeve në mbrojtje në NATO, ku edhe Kosova duhet të anëtarësohet”, ka shkruar Kurti. Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat kryesor i Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special i Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri./BS










