POSTIMET E FUNDIT

Komandanti i KFOR-it: Siguria në Kosovë e qetë, por e brishtë

Situata në Kosovë mbetet e qetë, por e brishtë – KFOR kërkon zgjidhje politike afatgjatë

Komandanti i misionit paqeruajtës të KFOR, gjeneral major Ozkan Ulutas, ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë paraqitet përgjithësisht e qetë, por vazhdon të mbetet e brishtë, duke theksuar se vetëm një zgjidhje politike afatgjatë mund të garantojë stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Pas takimeve të zhvilluara në selinë e NATO në Bruksel, Ulutas njoftoi se ka informuar ambasadorët e vendeve aleate dhe partnerët kontribuues për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor. Ai gjithashtu zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të Aleancës, përfshirë Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme, Radmila Shekerinska.

Në deklaratën e tij, Ulutas theksoi se angazhimi i NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë për ruajtjen e sigurisë në Kosovë mbetet i palëkundur. “Aleatët dhe partnerët vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për një ambient të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet,” u shpreh ai.

Sipas tij, që nga tetori i vitit 2025 nuk është vërejtur rikthim i dhunës në përmasat e vitit 2023, megjithatë rreziqet për tensione të reja mbeten të pranishme, veçanërisht në veri të Kosovës. “Situata është e qetë në përgjithësi, por e brishtë dhe me potencial për përshkallëzim,” paralajmëroi Ulutas.

Ai nënvizoi se prioriteti kryesor i KFOR-it mbetet ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë për të gjitha komunitetet, duke shtuar se misioni ka një prani “të dukshme, të shkathët dhe fleksibile” në terren për të parandaluar çdo përkeqësim të mundshëm të situatës.

Në deklaratë u theksua gjithashtu roli kyç i KFOR-it si një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ulutas bëri të ditur se mban kontakte të rregullta me përfaqësues ndërkombëtarë, institucionet e sigurisë në Kosovë dhe Forcat e Armatosura të Serbisë, me synim rritjen e transparencës dhe koordinimit.

Në përfundim, komandanti i KFOR-it theksoi se e ardhmja e qëndrueshme e rajonit nuk mund të ndërtohet përmes mjeteve ushtarake. “Ekziston një nevojë urgjente për një zgjidhje politike afatgjatë,” deklaroi ai, duke rikujtuar mbështetjen e fortë të NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Stabiliteti varet nga zgjedhja për diplomaci në vend të dhunës. Rruga drejt paqes së qëndrueshme është politike, jo ushtarake,” përfundoi Ulutas, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB