POSTIMET E FUNDIT

Berisha: Gjyqi ndaj Metës, terror fizik e psikologjik 

“Dhuna e urdhëruar nga kryeministri Edi Rama”

Me tone të ashpra ndaj Kryeministrit Edi Rama, Sali Berisha dënoi nga selia blu trajtimin çnjerëzor që tha se po i bëhet ish-Presidentit Ilir Meta, ndaj të cilit kryedemokrati u shpreh se është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike nga arrestimi i tij deri te mbajtja në paraburgim.

“U paraqit në sallën e gjyqit i mbyllur në kafaz xhami sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm, ndonëse ndaj tij nuk ekziston asnjë provë e faktuar për ndonjë vepër penale. Ndaj Ilir Metës është ushtruar dhunë dhe terror psikologjik, madje edhe fizik. Janë organizuar provokacione ndër më të ulëtat dhe të rrezikshme, janë dhunuar të drejtat kushtetuese elementare… të urdhëruara direkt nga Edi Rama”.

Sikundër Ilir Meta, edhe kryedemokrati thotë se standardi i vendeve të lira kërkon që seancat gjyqësore të jenë publike, veç rasteve kur hetimet kanë të bëjnë me ruajtjen e sekretit shtetëror.

“Çdo seancë, përjashtuar ato të cilat kanë sekrete të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, duhet të jenë publike dhe vetëm publike”.

Ndonëse përballë tij nuk ka ende asnjë rival në garën për kreun e PD-së, Berisha thotë se është i vetmi që mund t’i bëjë ballë qeverisë që sipas tij qëndron në pushtet me farsa elektorale.

“U them shqiptarëve se do mbroj votën dhe në qoftë se të kujtohet, zotimi im ka qenë mbrojtja e votës”.

Lidhur me debatet në kampin kundërshtar mes ish-Ministres së Jashtme Elisa Spiropali dhe Kryeministrit Rama, Berisha ka të njëjtën përgjigje.

“Parti krimi. Ajo parti është lubizuar totalisht”.

Ndaj dhe zgjidhja e vetme sipas kreut të opozitës për të rrëzuar atë që ai e cilëson narkoshtet janë vetëm revoltat qytetare, ku protesta e radhës e thirrur nga Partia Demokratike do të mbahet në datën 8 maj, transmeton tvklan, përcjell helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB