8.9 C
Zurich
Wednesday, February 11, 2026
spot_img
spot_img

Kurti paraqet ekspozenë: “Kosova më e drejtë, më e fortë dhe më gjithëpërfshirëse”

Duhet ti lexosh

Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, paraqiti sot ekspozenë para deputetëve të legjislaturës së dhjetë, duke theksuar se gjatë pesë viteve të fundit vendi ka shënuar progres të dukshëm në zhvillim ekonomik, reforma institucionale dhe fuqizim të shtetit.

Në fjalën e tij, Kurti deklaroi se, pavarësisht sfidave si pandemia, kriza energjetike dhe inflacioni, qeverisja e tij ka arritur të ndërtojë “një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse”. Sipas tij, vendi ka shënuar rritje mesatare ekonomike prej 6 për qind të Bruto Produktit Vendor, duke mos rënë në asnjë vit nën 4 për qind, ndërsa eksportet dhe investimet e huaja direkte janë dyfishuar.

Ai premtoi se në mandatin e ardhshëm fokusi do të zhvendoset nga dyfishimi në shumëfishimin e prodhimit vendor, përmes investimeve prej rreth 1 miliard eurosh në sektorin e prodhimit, kryesisht përmes garantimit të kredive për investitorët.

- Reklama -

Reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit

Një ndër shtyllat kryesore të programit të ri qeverisës, sipas Kurtit, mbetet reforma në drejtësi. Ai paralajmëroi themelimin e një prokurorie të specializuar për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe krijimin e një zyre për hetime disiplinore.

Po ashtu, Kurti kërkoi që të ecet përpara me Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë, me synimin që drejtësia të jetë “e drejtë, e shpejtë dhe e besueshme”.

Në kuadër të modernizimit të administratës, ai theksoi thellimin e transformimit digjital, duke synuar që qytetarët të kenë qasje të lehtë dhe transparente në shërbimet shtetërore, nga dokumentet personale deri te shërbimet sociale dhe ato për bizneset.

- Advertisement -

Procesi në Hagë dhe raportet me Serbinë

Në ekspozenë e tij, Kurti preku edhe procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai e cilësoi kërkesën e Prokurorisë për dënime të ashpra si “orvatje që bie ndesh me të vërtetën” dhe theksoi se barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal përbën, sipas tij, shtrembërim historik dhe faktik.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti tha se normalizimi i marrëdhënieve do të ndiqet përmes dialogut konstruktiv dhe zbatimit të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Ai theksoi se normalizimi nënkupton rregullim të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe jo ndërhyrje në çështjet e brendshme.

Politika sociale dhe investime strategjike

Në aspektin social, Kurti premtoi dyfishim të shtesave për fëmijë në mandatin e ardhshëm, duke theksuar se qeveria ka përballuar inflacionin përmes politikave mbështetëse, rritjes së punësimit dhe pagës minimale.

Në fushën e infrastrukturës dhe mjedisit, ai paralajmëroi investim prej 400 milionë eurosh për ndërtimin e pesë digave të reja, me qëllim sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë dhe rritjen e rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike. Ekspozeja e Kurtit shpalosi prioritetet kryesore të qeverisë së re, me theks në zhvillimin ekonomik, reformën në drejtësi, fuqizimin e shtetit dhe thellimin e politikave sociale, ndërsa mbetet të shihet mbështetja që do të marrë kabineti i ri në Kuvend, transmeton rtk.

- Reklama -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

- Reklama -spot_img

Të ngjashme