8.9 C
Zurich
Wednesday, February 11, 2026
spot_img
spot_img

Dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në Hagë: Mbrojtja e Thaçit kërkon shpalljen e pafajësisë

Duhet ti lexosh

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë ka nisur dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca e sotme pritet të fokusohet në fjalën përmbyllëse të ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, e hapi deklaratën e tij duke theksuar se klienti i tij është i pafajshëm dhe se Prokuroria e Specializuar nuk ka arritur të përmbushë standardin e barrës së provës.

“Hashim Thaçi është i pafajshëm. Para jush qëndrojnë katër burra, për të cilët ligji kërkon që të prezumohen të pafajshëm”, deklaroi Mishetiq para trupit gjykues.

- Reklama -

Sipas tij, ky proces gjyqësor ka për qëllim vetëm verifikimin e pretendimeve të Prokurorisë dhe jo gjykimin e jetës personale apo historisë politike të të akuzuarve. Ai theksoi se përgjatë më shumë se pesë viteve, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pasur barrën që të provojë fajësinë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, standard që, sipas mbrojtjes, nuk është përmbushur.

Mbrojtja argumentoi se dëshmitë e paraqitura nga dëshmitarë ndërkombëtarë, ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe dokumente të ndryshme shkresore hedhin dyshime mbi pretendimet e Prokurorisë. Mishetiq shtoi se disa dëshmitarë ndërkombëtarë kanë konfirmuar se ngjarjet e përmendura në aktakuzë nuk lidhen drejtpërdrejt me Thaçin, duke u bazuar edhe në informacionet e shërbimeve të inteligjencës.

“Ky gjykim nuk është verifikim i jetës së Thaçit, por i pretendimeve të Prokurorisë se ai nuk duhet të gëzojë prezumimin e pafajësisë”, tha avokati, duke kërkuar që trupi gjykues të respektojë parimin themelor të së drejtës penale – prezumimin e pafajësisë.

- Advertisement -

Një ditë më parë, Prokuroria e Specializuar përfundoi fjalën e saj përmbyllëse, duke pretenduar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për të dëshmuar përgjegjësinë penale të të akuzuarve. Prokurorja e specializuar Kimberly West kërkoi dënimin e secilit prej tyre me nga 45 vjet burgim, respektivisht 180 vjet në total.

Prokuroria ka pretenduar se të akuzuarit kanë pasur rol kyç në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe se kanë mashtruar përfaqësuesit ndërkombëtarë lidhur me strukturën dhe veprimtarinë e UÇK-së. Sipas saj, deklaratat e mbrojtjes duhet të vlerësohen me rezervë.

Pas përfundimit të deklaratave të Prokurorisë, fjalën e mbajti përfaqësuesi i viktimave, Simon Laws, i cili kërkoi që në vendimin përfundimtar të trupit gjykues të merret parasysh zëri i viktimave pjesëmarrëse në proces.

Pas përmbylljes së të gjitha deklaratave përmbyllëse, çështja do t’i kalojë për vendimmarrje trupit gjykues. Sipas rregullave procedurale, gjykatësit kanë deri në tre muaj kohë për të shpallur vendimin ose për të kërkuar zgjatje të afatit.

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës. Ata përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar në vazhdimësi, duke i cilësuar si të pabazuara.

Procesi në Hagë ka tërhequr vëmendje të madhe në Kosovë dhe më gjerë, duke u konsideruar si një nga gjykimet më të rëndësishme që lidhen me periudhën e luftës së viteve 1998–1999. Vendimi i trupit gjykues pritet të ketë ndikim të gjerë juridik dhe politik, si për të akuzuarit, ashtu edhe për perceptimin publik mbi drejtësinë ndërkombëtare në rajon, transmeton rtk.

- Reklama -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

- Reklama -spot_img

Të ngjashme