Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënime prej nga 45 vjet burg për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në reagimin e tij, Kurti thekson se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, mbrojtëse dhe e zhvilluar në rrethana okupimi e dhune shtetërore, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për ta shkëputur atë nga konteksti historik dhe politik rrezikon të deformojë të vërtetën mbi luftën çlirimtare të Kosovës.
“Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit. UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror.
Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte.
Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.
Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre”, ka shkruar Kurti, transmeton euronewsal.




