Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka pritur në takim përfaqësues të Gjermanisë dhe GIZ-it, me të cilët ka diskutuar për mbështetjen zhvillimore dhe përgatitjet e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar sot një takim me Daniel Alker, Shef i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, dhe Marcus Delf, Drejtor i GIZ-it për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Takimi është zhvilluar në kuadër të angazhimeve dhe takimeve të rregullta me partnerët zhvillimorë, me fokus në mbështetjen që Gjermania i ofron institucioneve të Kosovës dhe në procesin e integrimit evropian.
Zulfaj ka falënderuar përfaqësuesit gjermanë për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’u japë institucioneve të Kosovës.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për përgatitjet institucionale të Kosovës në fushën e integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas Zulfajt, institucionet e Kosovës po punojnë në mënyrë të hershme për rritjen e efikasitetit administrativ dhe krijimin e kapaciteteve të nevojshme për procesin e ardhshëm të negociatave për anëtarësim në BE.
Në këtë drejtim, mbështetja e partnerëve zhvillimorë shihet si një komponent i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e reformave.
Gjermania vazhdon të jetë një nga partnerët kryesorë zhvillimorë të Kosovës, duke ofruar mbështetje në fusha të ndryshme përmes institucioneve dhe programeve të bashkëpunimit zhvillimor.
Zulfaj ka vlerësuar se kjo ndihmë është e rëndësishme për Kosovën, veçanërisht në kuadër të përpjekjeve për forcimin e institucioneve dhe përmbushjen e kërkesave që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Takimet me partnerët zhvillimorë pritet të shërbejnë edhe në koordinimin e mëtejshëm të mbështetjes ndërkombëtare me prioritetet institucionale të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian, transmeton rtk.










