Ish-ambasadori amerikan Christopher Hill ka komentuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, si dhe reagimet në Kosovë për kërkesat për zhbërjen e kësaj gjykate. Hill tha se e kupton zemërimin dhe shqetësimin e qytetarëve, ndërsa theksoi se pret që vendimi të apelohet.
Ish-ambasadori amerikan Christopher Hill, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Now” në Euronews Albania, ka folur për zhvillimet pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I pyetur për kërkesat e qytetarëve për zhbërjen e Gjykatës Speciale, Hill u shpreh se nuk e konsideron veten në pozitë për të komentuar një nismë të tillë. Megjithatë, ai tha se e kupton reagimin e qytetarëve pas vendimit të gjykatës.
“E kuptoj që njerëzit ndjejnë mllef, janë të zemëruar, janë shumë të shqetësuar”, u shpreh Hill, duke shtuar se shpreson që së shpejti të nisin përpjekjet për apelimin e vendimit.
Ai theksoi gjithashtu se komentet e tij nuk duhet të interpretohen si qëndrim në emër të Gjykatës Speciale, duke sqaruar se po fliste vetëm në emrin e tij.
“Unë nuk po flas nga gjykata dhe për gjykatën. Nuk mund të flas vetëm në emrin tim dhe dëshmia ime ishte dëshmia më e mirë që mund të ofrohej duke thënë të vërtetën dhe asgjë tjetër përveçse të vërtetës”, tha ish-diplomati amerikan.
Hill: Kosova dhe Serbia duhet të ecin drejt normalizimit
Duke folur për zhvillimet politike dhe gjeopolitike në Ballkan, Hill u ndal edhe te marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, pavarësisht vështirësive dhe tensioneve, fokusi duhet të jetë te hapat e ardhshëm dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve.
“Për sa i përket politikës dhe gjeopolitikës së Ballkanit, duhet të kemi përpjekje që të ecim përpara, duke u mbështetur në punën që kanë bërë ndërmjetësues të ndryshëm gjatë këtyre viteve të fundit dhe ai është normalizimi i marrëdhënieve”, deklaroi Hill.
Ai argumentoi se Kosova dhe Serbia, nga pikëpamja strategjike dhe gjeopolitike, nuk duhet të qëndrojnë larg njëra-tjetrës dhe se të dyja palët duhet të gjejnë mënyra për të ecur përpara.
“Serbia dhe Kosova gjithmonë do të gjenden në situata të atilla ku nga ana strategjike apo gjeopolitike nuk duhet të jenë larg njëra-tjetrës. Prandaj duhet të jetë një mënyrë që të ecin përpara, në mënyrë që të kenë një të ardhme më të mirë për popullin e tyre”, tha ai.
Hill pranoi se situata është e vështirë, veçanërisht për shkak të ndikimit që kanë procedurat gjyqësore te qytetarët dhe opinionin publik.
Megjithatë, ai theksoi rëndësinë që, krahas zhvillimeve në Hagë, të shihet edhe përpara dhe të merren në konsideratë hapat e ardhshëm politikë e strategjikë.
“Procedurat gjyqësore janë shumë zhgënjyese për njerëzit dhe unë e kuptoj shumë mirë këtë gjë. Por mendoj se njerëzit duhet të kuptojnë dhe duhet të konsiderojnë cilat janë hapat e radhës dhe duhet të përpiqen që të ecin përpara në mënyrën që do të jetë mendim për të gjithë”, përfundoi Hill, transmeton euronewsal.










