Kryeministri Edi Rama ka ndarë ditën e sotme me ndjekësit në rrjetet sociale momente nga stërvitja intensive e efektivëve të Forcës Ajrore me helikopterët “Black Hawk”.
Përmes një postimi, kreu i qeverisë ka vlerësuar përgatitjen e trupave, duke e cilësuar atë si “energjia e stërvitjes së ushtarëve të helikopterëve Black Hawk”.
Në pamjet e publikuara, mjetet fluturuese të teknologjisë së lartë shfaqen duke u angazhuar në skenarë të ndryshëm, që nga operacionet komplekse ushtarake e deri te situatat e emergjencave civile. Fokus i veçantë në video i është kushtuar operacioneve të kërkim-shpëtimit, një kapacitet jetik për Forcat e Armatosura shqiptare.
Helikopterët nuk po zhvillojnë vetëm stërvitje rutinë ushtarake. Ata po trajnohen në vijimësi për të qenë të gatshëm për një spektër të gjerë misionesh, duke përfshirë transportin taktik të trupave, si dhe evakuimet mjekësore të specializuara (MEDEVAC) në raste fatkeqësish natyrore apo emergjencash civile.
Helikopterët Black Hawk janë pjesë e modernizimit të flotës ajrore shqiptare, duke rritur ndjeshëm kapacitetet operacionale të vendit si anëtar i NATO-s, transmeton rtsh.




