Shqipëria është një nga përfitueset kryesore të paketës së re të mbështetjes prej 171 milionë eurosh të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, e cila synon zhvillimin e infrastrukturës dhe nxitjen e sektorit privat.
Siç njoftoi Komisioni Evropian, 91.8 milionë euro janë ndarë për projekte infrastrukturore në katër vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky financim pritet të mobilizojë 232 milionë euro në investime totale në shtatë projekte në sektorë prioritarë, duke përfshirë energjinë dixhitale, energjinë e pastër, kapitalin njerëzor, transportin dhe mjedisin.
Sipas EuropeanWesternBalkans, projekti më i madh për Shqipërinë është ndërtimi i infrastrukturës kombëtare të broadband-it, me një investim prej 35.7 milionë euro, i cili pritet të mobilizojë 110.6 milionë euro investime totale dhe të përfundojë në vitin 2032.
Gjithashtu, parashikohet shtrirjen e rreth 7 mijë kilometrave fibër optike në tetë rajone të vendit, duke sjellë internet me shpejtësi të lartë për mbi 74 mijë familje dhe 858 institucione publike.
Një tjetër projekt strategjik është elektrifikimi i linjës hekurudhore Durrës-Tiranë-Aeroport, me një investim prej 13.1 milionë euro, që pritet të gjenerojë 25.1 milionë euro investime totale dhe të përfundojë në vitin 2026.
Linja 42.1 kilometra do të kalojë në një sistem elektrik zero-emision, me shpejtësi deri në 120 km/orë, duke modernizuar transportin hekurudhor dhe duke e afruar atë me standardet e BE-së.
Përveç investimeve direkte në infrastrukturë, Shqipëria përfiton edhe në mënyrë indirekte nga programet rajonale për sektorin privat.
Paketa e re e mbështetjes përfshin një paketë kontributesh investimi nga burime të ndryshme financimi të BE-së: kontribut nga Instrumenti për Ndihmë Para-Anëtarësimi (IPA III) për një projekt në Bosnjë dhe Hercegovinë, kontribute nga donatorët bilateralë të Fondit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) për një projekt në Mal të Zi dhe kontribute nga Instrumenti i Reformës dhe Rritjes (RGF) për projekte në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.
Këto projekte do të zbatohen nga partnerët e Ballkanit Perëndimor së bashku me institucionet financiare ndërkombëtare.
Përveç kësaj, 2.9 milionë euro janë ndarë për katër projekte asistence teknike në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë, që synojnë mbështetjen e investimeve të ardhshme në sektorët e energjisë, ujit, inovacionit dhe kërkimit.
Paketa përfshin gjithashtu 76.3 milionë euro kontribute për programet që mbështesin sektorin privat, transmeton rtsh.




