Sot shënohen 28 vjet nga sulmi i dytë i forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, një ngjarje që mbetet ndër momentet kyçe të historisë së rezistencës shqiptare në Kosovë.
Më 22 janar 1998, në orët e hershme të mëngjesit, forcat e policisë serbe u nisën nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë në Skenderaj, rreth 500 metra larg lagjes Jashari, dhe u drejtuan drejt Kullës së Jasharëve, duke e sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme. Ky aksion ndodhi gjashtë vjet pas sulmit të parë të 30 dhjetorit 1991 ndaj familjes së Shaban Jasharit.
Sulmi i dytë shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë e rezistencës, pasi familja Jashari, përballë dhunës dhe rrezikut të vazhdueshëm, vendosi të mos largohej nga shtëpia dhe trualli i vet, duke dhënë një mesazh të fuqishëm qëndrueshmërie dhe sakrifice.
Vetëm një muaj e gjysmë më vonë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe ndërmorën sulmin e tretë dhe më fatal në Prekaz. Mijëra policë dhe ushtarë serbë rrethuan zonën dhe vranë 20 anëtarë të familjes së Shaban Jasharit, përfshirë komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin. Në total, gjatë atyre ditëve në Prekaz u vranë 59 persona.
Me rastin e kësaj date përkujtimore, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se sot do të mbajë homazhe në orën 10:00, në Prekaz, pranë Kompleksit Memorial të familjes Jashari.
“Në nderim të 22 janarit 1998, ditës kur forcat serbe sulmuan për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz, një ngjarje që përfaqëson një vendim historik të qëndresës, OVL e UÇK-së fton familjet e dëshmorëve, bashkëluftëtarët dhe qytetarët që të marrin pjesë në homazhe”, thuhet në njoftimin e organizatës, transmeton rtk.




