Një grup intelektualësh kanë reaguar publikisht, duke deklaruar se emrat e tyre janë përfshirë pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tyre në një listë prej mbi 300 personash, e prezantuar si përfaqësuese e një të ashtuquajture Federatë dhe Platformë Ndërkombëtare të Krijuesve, Intelektualëve, Afaristëve dhe Diasporës Shqiptare.
Në reagimin e tyre, nënshkruesit theksojnë se nuk i njohin nismëtarët e kësaj iniciative dhe nuk janë informuar për qëllimet dhe përmbajtjen programore të saj. Ata shprehin shqetësim lidhur me gjuhën alarmuese dhe manipuluese, si dhe me pretendimet e pabazuara që, sipas tyre, e shoqërojnë këtë nismë.
“Duke mos i njohur nismëtarët dhe duke mos ia ditur qëllimet e përmbajtjen programore, si dhe duke u bazuar në gjuhën alarmuese e manipuluese dhe në pretendimet e pabazuara të kësaj nisme, shprehim shqetësimin tonë”, thuhet në reagimin publik.
Për këtë arsye, intelektualët nënshkrues deklarojnë se nuk janë pjesë e kësaj liste dhe se distancohen publikisht nga kjo nismë, duke theksuar se përfshirja e emrave të tyre pa pëlqim përbën cenim të integritetit personal dhe profesional.
Reagimi është bërë publik në Prishtinë, më 14 janar 2026, dhe është nënshkruar nga:
Dr. Veton Zejnullahi,
Dr. Ferid Selimi,
Dr. Dashnim Hebibi,
Dr. Ilir Zylfiu,
Dr. Shpëtim Memishi dhe
Dr. Lulzim Rashiti, transmeton helveticALforum.ch
(Foto ilustrim)




