Së shpejti del nga shtypi libri i 29-të i autorit Prof. Asoc. Dr. Lisen Bashkurti, me titull “RUSIA – Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur”, një monografi shkencore që përbën një nga analizat më të plota dhe më të thelluara mbi evolucionin tre shekullor të gjeopolitikës ruse.
Libri trajton me rigorozitet akademik procesin e formimit të Perandorisë Ruse, fazat e zgjerimit dhe tkurrjes territoriale, si dhe dinamikat strategjike të Rusisë në raport me Evropën, Euroazinë, Veriun, Jugun, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Largët. Autori e koncepton Rusinë si një fuqi kontinentale të mbyllur gjeopolitikisht, e cila historikisht ka ndërtuar strategjinë e saj mbi frikën nga rrethimi, nevojën për thellësi strategjike dhe logjikën e zgjerimit të vazhdueshëm territorial.
Vëmendja kryesore e monografisë përqendrohet në periudhën pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, moment që shënon jo fundin e ambicies imperiale ruse, por transformimin e saj. Prof. Bashkurti argumenton se trauma gjeopolitike e humbjes së BRSS-it ka shërbyer si katalizator për ringjalljen e një doktrine revizionuese, e mishëruar më së shumti gjatë presidencës së Vladimir Putinit, transmeton helveticALforum.ch. Në këtë kuadër, libri analizon me kujdes sulmin ndaj Gjeorgjisë në vitin 2008, aneksimin e dhunshëm dhe të manipuluar të Krimesë në vitin 2014, si dhe agresionin e hapur ndaj Ukrainës, të nisur në vitin 2022 nën etiketën e “operacionit special”, i cili vijon ende sot me pasoja të thella për rendin ndërkombëtar të sigurisë. Monografia nuk mbetet vetëm në përshkrimin e ngjarjeve, por ofron një kornizë teorike dhe analitike për të kuptuar logjikën e brendshme të politikës së jashtme ruse, marrëdhënien e saj me Perëndimin, si dhe sfidat që kjo qasje paraqet për stabilitetin rajonal dhe global.
“Rusia – Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur” është një vepër e domosdoshme për studiuesit, diplomatët, studentët e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe për çdo lexues që synon të kuptojë më thellë shkaqet strukturore të konfliktit në Ukrainë dhe drejtimin e ardhshëm të politikës ruse në skenën botërore, transmeton helveticALforum.ch




