2.1 C
Zurich
Monday, December 15, 2025
spot_img
spot_img

Ambasadori Rexhep Demiri nderon Florim Useinin me Mirënjohje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mërgatë

Duhet ti lexosh

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Bernë, 15 dhjetor 2025 – Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, ka ndarë një certifikatë mirënjohjeje për veprimtarin e njohur shqiptar dhe kryetar nderi të Rrjetit të Bizneseve në Zvicrën Qendrore, z. Florim Useini. Ky vlerësim i lartë institucional është një dëshmi e kontributit të vazhdueshëm dhe të palodhshëm të z. Useini në shërbim të komunitetit shqiptar në mërgatë dhe më gjerë.

Florim Useini, me origjinë nga Kërçova, njihet gjerësisht si një personalitet unifikues, humanist i përkushtuar dhe afarist i suksesshëm. Ai gëzon autoritet dhe respekt të veçantë në mesin e bashkatdhetarëve, duke qenë një figurë që arrin të mobilizojë dhe bashkojë njerëz për kauza të përbashkëta. Mjafton një thirrje apo një fjalë e tij dhe brenda pak orësh, mbi 100 veprimtarë mblidhen në një takim, gjë që flet qartë për besimin dhe ndikimin që ai ka ndërtuar ndër vite.

Në ceremoninë e mbajtur në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë edhe pse ditë pushimi e diele e që njihet se Ambasadori Demiri është i pandalshëm 7 ditë, orë e pas ore për të qenë sa më afër bashkatdhetarëve, Ambasadori Demiri vlerësoi punën, angazhimin dhe rolin e z. Useini në forcimin e lidhjeve mes mërgatës shqiptare dhe institucioneve shtetërore, si dhe kontributin e tij në promovimin e unitetit, bashkëpunimit dhe solidaritetit brenda komunitetit.

Pas pranimit të mirënjohjes, Florim Useini u shpreh me përulësi dhe përgjegjësi, duke theksuar se këtë vlerësim nuk e konsideron si nder personal, por si një obligim moral për të vazhduar angazhimin e tij në shërbim të komunitetit shqiptar, me korrektësi, seriozitet dhe përkushtim.

“Shpreh falënderimin tim të veçantë për Ambasadorin Rexhep Demiri për ndarjen e kësaj certifikate mirënjohjeje, një vlerësim që për mua ka peshë të veçantë morale dhe institucionale. Kur mirënjohja vjen nga një përfaqësues dinjitoz i shtetit, që e kupton shërbimin publik si mision dhe jo si formalitet, ajo merr kuptim të thellë dhe vlerë afatgjatë,” u shpreh Useini.

Ai gjithashtu falënderoi Ambasadorin Demiri për respektin, besimin dhe qasjen institucionale, duke theksuar se këto janë elemente që forcojnë bashkëpunimin dhe unitetin e komunitetit shqiptar në Zvicër dhe më gjerë.

Kjo mirënjohje vjen si një dëshmi e merituar për një figurë që prej vitesh kontribuon me vepra konkrete në dobi të mërgatës, duke shërbyer si urë lidhëse mes biznesit, shoqërisë civile dhe institucioneve, gjithmonë në funksion të interesit të përbashkët dhe vlerave kombëtare.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme