Komuna e Belpit në kantonin e Bernës po përgatitet të provojë një model të ri të mësimit dhe kujdesit gjatë gjithë vitit, të quajtur “Jahresschule” (Shkolla e Vitit). Sipas këtij modeli pilot, fëmijët do të kalojnë katër ditë në javë nga ora 8:00 deri në 16:30 së bashku me mësues dhe kujdestarë. Në këmbim, koha e pushimeve shkollore do të reduktohet nga 13 javë në vetëm 6 javë në vit.
Kjo ide vjen nga Daniela Schädeli, drejtore e Departamentit të Familjes dhe Arsimit. Ajo thekson se sasitë e mësimit nuk ndryshojnë, por ditët e lira shpërndahen ndryshe gjatë vitit.
Shkolla do të mbyllet vetëm:
- 2 javë në verë
- 2 javë gjatë ndërrimit të viteve
- 1 javë në pranverë
- 1 javë në vjeshtë
Sipas Schädeli, modeli sjell përfitime të mëdha: mundësi për zhvillimin e ditëve shkollore me tematika të ndërthurura dhe më shumë siguri planifikimi për familjet. “Arsimi dhe kujdesi organizohen në mënyrë të integruar”, thotë ajo.
“Ky model kërkon guxim”
Shkolla Hohburg është zgjedhur si vend testimi. Për fillimin e projektit duhen të paktën 18 fëmijë të regjistruar dhe aktualisht po kërkohet personel shtesë. Pas rreth një viti e gjysmë, Universiteti Pedagogjik i Bernës do të kryejë vlerësimin e parë. Nëse rezultatet janë negative, projekti përfundon pas tre vjetësh; nëse janë pozitive, ai vazhdon edhe gjashtë vite të tjera, para se të merret parasysh një ndryshim ligjor.
Projekti mbështetet nga studiuesja Michelle Jutzi. “Në një sistem që lëviz shumë ngadalë, duhet guxim për të provuar modele të reja”, thotë ajo. Sipas saj, kërkesa për shërbime të plota ditore është në rritje, dhe një ditë e lirë shtesë mund t’u japë familjeve më shumë kohë së bashku. Për fëmijët, qëndrimi i vazhdueshëm në të njëjtin ambient gjatë gjithë ditës mund të sjellë më shumë stabilitet, transmeton 20min.ch. Megjithatë, Jutzi paralajmëron edhe për rreziqe të mundshme: koha më e gjatë së bashku kërkon më shumë koordinim brenda stafit dhe më shumë vëmendje, veçanërisht në situata si bullizimi. Është thelbësore që i gjithë personeli të jetë mirë i përgatitur.
Ide që mund të shpërndahet në gjithë Zvicrën
Belpi ka marrë hapin e parë – dhe mund të bëhet shembull për komuna të tjera. Sipas kryetarit të komunës, Stefan Neuenschwander, tashmë ka interes nga rajone të tjera. “Pyesim veten pse askush nuk ka ardhur më parë me këtë ide”, thotë ai, transmeton 20min.ch e përgatiti helveticALforum.ch




