Të dashur bashkatdhetarë,
Me rastin e fillimit të pushimeve verore në Kantonin e Bernës dhe në disa kantone të tjera të Konfederatës Zvicerane, kam kënaqësinë t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta për një udhëtim të mbarë, pushime të qeta dhe çaste të lumtura pranë familjeve dhe të afërmve tuaj në atdhe. Pushimet verore janë një mundësi e veçantë për t’u çlodhur, për të forcuar lidhjet familjare dhe për të ruajtur e kultivuar lidhjen e vyer me vendlindjen. Prandaj, ju uroj që këto ditë t’ju sjellin gëzim, paqe, shëndet dhe kujtime të bukura. Një ftesë e veçantë shkon për të gjithë ata që do të udhëtojnë me automjete: tregoni kujdes maksimal, respektoni rregullat e komunikacionit dhe udhëtoni me durim e përgjegjësi. Më mirë të mbërrijmë pak më vonë, sesa të rrezikojmë jetën tonë dhe të të tjerëve. Uroj që secili prej jush të arrijë shëndoshë e mirë pranë më të dashurve.

Bashkatdhetarëve tanë në kantonet e tjera, të cilët do t’i fillojnë pushimet gjatë javës së ardhshme, u dëshiroj po ashtu rrugë të mbarë, pushime të këndshme dhe rikthim të sigurt. Në emrin tim dhe të Ambasadës, ju uroj një verë të begatë, plot gëzim, mirësi dhe mbarësi. Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja dhe udhëtimin tuaj. U kthefshi të gjithë shëndoshë e mirë në vendet ku jetoni dhe kontribuoni me dinjitet.
Me konsideratë të lartë,
Rexhep Demiri
Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Konfederatën Zvicerane




