Edicioni i 68-të i Zecchino d’Oro u mbyll me triumfin e Emma Dakolit, 9-vjeçares me origjinë shqiptare, prindërit e së cilës janë emigrantë nga Durrësi. Ajo rrëmbeu zemrat e publikut dhe jurisë me këngën “Ci pensa il vento”, duke u shpallur fituese e festivalit të zhvilluar në Antoniano të Bolonjës nga 28 deri më 30 nëntor 2025 dhe të transmetuar në Rai 1, me finalen e prezantuar nga Carlo Conti.
Kush është Emma Dakoli?
Emma jeton në Monza dhe këndon në korin MiMiSol. Zëri i saj i sigurt dhe plot dritë u vlerësua menjëherë nga kritikët dhe publiku, duke e çuar drejt podiumit të parë. Ajo ka treguar se ëndërron të bëhet këngëtare, piktore dhe stiliste mode, ndërsa idhuj ka këngëtaret Giorgia dhe Annalisa. Në skenën e Antonianos ajo performoi së bashku me Piccolo Coro dell’Antoniano, i drejtuar për herë të parë nga Margherita Gamberini.
“Ci pensa il vento” – një këngë me mesazh të fortë paqeje
Kënga fituese, me tekst të don Francesco Marruncheddu dhe Lodovico Saccol, nis me një skenë të thjeshtë të një dite me erë, parë nga sytë e një fëmije që mërzitet sepse “nuk shkohet më në det”. Gjyshja e udhëzon të shohë anën e bukur të gjërave: era ndihmon të thahen rrobat, kthen faqet e librave, sjell aromat e luleve dhe notat e këngëve.
Më pas, teksti bëhet më i thellë dhe shndërron erën në simbol të një force që kalon kufijtë, rrëzon mure dhe sjell një mesazh paqeje, ndërsa në qiell valviten flamuj shumëngjyrësh.
Si u zhvillua edicioni i vitit 2025
Zecchino d’Oro 2025 solli 14 këngë të reja nga 28 autorë, mes tyre edhe emra të njohur si Enrico Nigiotti, Giuliano Sangiorgi, Andrea Agresti dhe Stefano Accorsi. Dy mbrëmjet e para u drejtuan nga Carolina Benvenga dhe Lorenzo Baglioni, ndërsa finalja nga Carlo Conti, që për të nëntin vit radhazi mbajti edhe rolin e drejtorit artistik.
Në renditjen finale, “Ci pensa il vento” mori vendin e parë, e ndjekur nga “Tu puoi essere” dhe “Boomer boom boom”, pas kombinimit të votave të jurisë së fëmijëve dhe të të rriturve./BS




