Tri ekonomistë të njohur, Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt janë shpërblyer me një prej nderimeve më të larta globale Çmimin Sveriges Riksbank në Shkencat Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobel për vitin 2025.
Laureatët e këtij viti janë vlerësuar “për shpjegimin e rritjes ekonomike të nxitur nga inovacioni”, një temë që është bërë jetike për të ardhmen e ekonomisë globale.
Gjysma e çmimit i është dhënë Joel Mokyr, për kërkimet e tij historike mbi origjinën e rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke theksuar rolin e përparimit teknologjik dhe hapjes ndaj ideve të reja si shtylla të zhvillimit afatgjatë. Mokyr theksoi se rritja ekonomike e qëndrueshme kërkon jo vetëm zbulime teknike, por edhe kuptim shkencor të tyre.
Gjysma tjetër e çmimit ndahet mes Philippe Aghion dhe Peter Howitt, “për identifikimin e parakushteve për rritje të qëndrueshme përmes progresit teknologjik”.
Në një artikull të vitit 1992, ata modeluan sesi produktet e reja dhe më të mira zëvendësojnë të vjetrat, duke i detyruar firmat e papërgatitura të humbin. Kjo dinamikë është, sipas tyre, motori i rritjes së qëndrueshme në ekonomitë moderne.
Kjo teori nënvizon rëndësinë e mbështetjes së mekanizmave që nxisin inovacionin dhe menaxhimin e konflikteve që lindin nga ndryshimi teknologjik, për të shmangur kthimin në stanjacion ekonomik.
Të dhënat për laureatët:
Joel Mokyr – Universiteti Northëestern, SHBA; i njohur për analizën historike të rritjes teknologjike (½ e çmimit).
Joel Mokyr, i lindur në Holandë më 1946 dhe profesor në Universitetin Northëestern në SHBA, është i njohur për analizën e thelluar historike mbi kushtet që mundësojnë rritjen e qëndrueshme ekonomike. Ai tregoi se ajo që e ndryshoi botën pas Revolucionit Industrial nuk ishte vetëm shpikja e makinave të reja, por ndërlidhja mes dijes shkencore dhe teknologjisë praktike – një bashkëjetesë që lejonte ndërtimin mbi njohuritë ekzistuese, dhe jo thjesht përsëritjen e tyre.
Sipas Mokyr, rritja ekonomike afatgjatë nuk ndodh rastësisht, ajo kërkon një shoqëri të hapur ndaj risive, ndaj pyetjeve, ndaj ndryshimit. Ai theksoi se kur shoqëritë inkurajojnë dijen, ato përgatiten për të ardhmen. Për të, historia nuk është thjesht e kaluar, por një udhëzues për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.
Philippe Aghion & Peter Howitt
Në vitin 1992, Philippe Aghion dhe Peter Howitt publikuan një artikull që do të ndryshonte mënyrën se si kuptohet rritja ekonomike moderne. Ata përshkruan një proces të quajtur “shkatërrim krijues”, i cili që atëherë është bërë një nga konceptet kyçe në ekonomi:
Kur një teknologji e re ose një produkt më i mirë hyn në treg, ai “shkatërron” produktet e vjetra, duke i zëvendësuar me diçka më të mirë, një cikël i pafund që shtyn shoqërinë përpara.
Peter HoWitt, profesor në Universitetin Broën, dhe Philippe Aghion, që mban poste akademike në Collège de France, INSEAD dhe London School of Economics, treguan me këtë teori se rritja nuk është një proces i qetë, por një betejë e vazhdueshme mes risisë dhe të vjetrës. Në thelb, çdo përparim sjell jo vetëm përfitime, por edhe humbës – dhe këto tensione duhet të menaxhohen me kujdes që shoqëritë të mos bllokojnë zhvillimin, transmeton rtsh.