
Nga Dashnim HEBIBI
Prishtinë, 08 Tetor 2025 – Në një atmosferë të mbushur me emocione dhe respekt të thellë, artistë, studentë, veprimtarë dhe dashamirë të artit u mblodhën në Cyrih ditë më parë për të kujtuar dhe nderuar ikonën e skenës shqiptare, aktorin e madh Enver Petrovci.
Në krye të këtij homazhi të veçantë ishte aktori, regjisori dhe presidenti i shkollës ndërkombëtare të aktrimit “IFTP – International Film Theater and Production” me qendër në Zvicër, z. Adem Kicaj, i cili solli me vete një simbol të rrallë historik – çizmen me të cilën Enver Petrovci kishte interpretuar në skenat zvicerane, dekada më parë. Ky amanet artistik, i ruajtur me kujdes ndër vite nga vetë Kicaj, iu dorëzua publikisht sot bashkëshortes së aktorit të ndjerë, zonjës së nderuar Valbona Pula Petrovci, gjatë një emisioni të drejtpërdrejtë në RTK.

Pas një periudhe të ngarkuar me projekte në Zvicër dhe Kosovë, prof. Adem Kicaj nuk e harroi asnjëherë mikun, kolegun dhe idhullin e tij artistik, Enver Petrovci. Disa ditë pas ndarjes nga jeta të Petrovcit, në bashkëpunim me aktorë, studentë dhe veprimtarë të artit, ai organizoi një takim komemorativ në Cyrih, ngjarje që mori mbështetje edhe nga Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore, si dhe nga mediat sam24.info, Helvetical Forum dhe Bota Sot.

Në këtë mbrëmje kujtimi, përveç fjalëve të ngrohta, ndodhi një moment i veçantë historik: çizma origjinale e Enver Petrovcit – me të cilën ai kishte interpretuar në Zvicër përpara shumë personaliteteve kulturore e politike – iu dorëzua familjes së tij. Kjo çizme ishte ruajtur për vite me përkushtim nga z. Kicaj, e shoqëruar me një shënim të dorës së Petrovcit që dokumentonte rolin dhe vendin e shfaqjes në të cilën ishte përdorur.
Dorezimi i amanetit u zhvillua live në studion e RTK-së, ku bashkëshortja e të ndjerit, Enver Petrovcit, Valbona Pula Petrovci e pranoi me emocione të thella këtë relike të shenjtë. Z. Kicaj falënderoi me zemër të hapur gazetaren dhe drejtuesen e emisionit, si dhe gjithë stafin e RTK-së, për mikpritjen dhe respektin që treguan në këto momente të paharrueshme.
Kjo çizme nuk është vetëm një kujtim personal, por një simbol brezash, që është përmendur ndër vite në ligjëratat e aktrimit të prof. Kicaj dhe në shfaqjet e studentëve të tij, veçanërisht në Morcote, aty ku prehet një tjetër gjigant i skenës botërore, Aleksandër Moisiu. Prof. Kicaj e konsideron Moisiun dhe Petrovcin si dy figura të pashlyeshme në historinë e artit shqiptar dhe evropian.
Me lot në sy, Kicaj kujtoi edhe momentet e fundit me Enver Petrovcin. Vetëm pak ditë para ndarjes së tij nga jeta, ai i kishte ndarë një mirënjohje të veçantë, në shenjë respekti për bashkëpunimet e shumta dhe projektet që i kishin bashkuar. Petrovci i kishte lënë një porosi të qartë: “Kjo çizme i takon familjes time, pastaj ministrisë përkatëse.” Dhe Kicaj, si mik i ngushtë dhe si njeri i fjalës, e çoi këtë amanet deri në fund.

“Nuk duhet të harrojmë ata që nuk u lodhën kurrë për të mirën e artit. Ne krenohemi që i patëm mes nesh,” – u shpreh me emocione prof. Kicaj.
Ky gjest i rrallë është dëshmi se figurat e mëdha nuk kujtohen vetëm në ditën kur ndahen nga jeta, por përjetësohen në kujtesën kolektive, në brezat që vijnë dhe në vlerat që kanë lënë pas. /SAM24.info