Nga: Prof.dr.Xhavit LIPAJ, Prishtinë
Jeta është luftë, por jo gjithmonë me armë e gjak, ajo është betejë e përhershme e shpirtit me vetveten, njê duel i heshtur mes së shkuarës dhe së ardhmes,
mes së mundshmes dhe asaj që s’mund të arrijmë.
Luftojmë me kohën që ikën pa mëshirë,
me kujtimet që na ndjekin si hije,
me shpresat që ngrihen si male përpara nesh, dhe me dëshpërimet që na shembin në humnera.
Filozofët e quajnë një arenë të ekzistencës,
ku çdo njeri është ushtar i mendimit dhe i dyshimit, ku çdo frymëmarrje është thirrje për vazhdimësi, dhe çdo heshtje është një kapitull i pashkruar i shpirtit.
Akademikisht, jeta është dialektikë e pafund, tezë dhe antitezë që ndeshen në tru, një sintezë e përkohshme që prishet prapë, se gjithçka është në lëvizje, në rrëzim e ringritje.
Luftë është dashuria, kur zemra kërkon të pushtojë një tjetër botë.
Luftë është e vërteta,
kur fjalët përplasen me maskat e gënjeshtrës.
Luftë është morali,
kur njeriu matet me padrejtësinë e vet dhe të tjerëve.
Por, më e madhja nga të gjitha betejat,
është ajo që ndodh brenda nesh:
të jesh ose të mos jesh,
të dorëzohesh ose të ngrihesh,
të humbasësh ose të fitosh kuptimin.
Në fund, jeta është luftë,
por jo për të tjetërsuar të tjerët,
jo për të sunduar botën,
por për të mos humbur veten.
Se fitimtar është ai, që në kaosin e luftës ruan shpirtin e tij të paprekur,
që e di se plagët janë pjesë e udhëtimit,
dhe se çdo rënie është vetëm një mësim
në akademinë e përjetshme të ekzistencës.