Gjykata e Lartë ka zgjedhur Asim Vokshin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në Mbledhjen e Posaçme të gjyqtarëve, që u zhvillua të martën (30 shtator), 6 pjesëmarrës votuan për kandidatin Asim Vokshi, kandidatja Naureda Llagami mori 8 vota dhe Florian Ballhysa nuk mori asnjë votë.
Megjithëse asnjë nga tre kandidatët nuk mori 3/5 e votave të nevojshme për t’u shpallur fitues, Asim Vokshi u zgjodh automatikisht, pasi rezultoi me pikët më të larta se kolegët e tjerë pas fazës së intervistimit të kryer nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Vokshi do të zëvendësojë drejtuesen në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Kujtojmë se interpretimi i mandatit të gjyqtares Zaçaj çoi në përplasje mes Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Kryegjyqtarja u emërua në janar të vitit 2023, duke pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha. Duke qenë se emërimi i saj përfshihej në skemën për ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet me nga tre anëtarë, sipas Gjykatës së Lartë, mandati i Zaçajt përfundonte më 10 mars të vitit 2025 dhe mbarimi i mandatit duhet të ishte deklaruar më 10 dhjetor 2024.
Duke qenë që një veprim i tillë nuk u ndërmor, Gjykata e Lartë shpalli vakancën për postin e Zaçajt më 11 dhjetor, vendim që u konsiderua si shkelje nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Zaçajt ajo ishte zgjedhur në detyrë me mandat 9-vjeçar dhe jo në vend të ish-kryetares Vitore Tusha, transmeton rtsh.