Viti 2027 përbën një moment të rëndësishëm për sipërmarrjen shqiptare, pasi parashikohet përfundimi i negociatave teknike për Kapitullin 29 mbi Bashkimin Doganor.
Ky proces kërkon angazhim të madh, si nga ana e sipërmarrjes, ashtu edhe nga institucionet shqiptare, në veçanti administrata doganore, me qëllim përafrimin e standardeve me ato të Bashkimit Europian.
“Koha nuk pret! Por edhe për sektorin privat them që është shumë i rëndësishëm ky afat për të përafruar burimet njerëzore, teknologjinë, dhe pikësëpari mentalitetin për tregun e përbashkët europian,” deklaroi Genti Gazheli, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
Ai foli për punën e institucionit që drejton dhe renditi përfitimet që do të sjellë sistemi i ri doganor.
“… lehtësim tregtar, reduktim të kohës së zhdoganimit, rritje të efikasitetit të procedurave doganore, integrim ekonomik, harmonizim me standardet e BE-së, duke i mundësuar Shqipërisë qasje në tregun e përbashkët,” shtoi z. Gazheli.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, u ndal tek sfidat më të mëdha që ka sot sipërmarrja shqiptare.
“Ne duhet të jemi gati për të qenë në hapin e duhur, në nivelin e duhur dhe në standardin e duhur për t’u përfshirë në tregun e madh të Bashkimit Europian,” u shpreh z. Jaka.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, theksoi se aktualisht duhet të punohet për identifikimin e kostove që do të përballojë biznesi për transformimin e kërkuar, si dhe për përcaktimin e mbështetjes që duhet të japin qeveria dhe Bashkimi Europian për subjektet që synojnë tregjet europiane.
“Mbas këtij transformimi nuk do të ketë më një treg 2,5 milionë, por 300 milionë. Kjo ka një kosto!” theksoi z. Zusi.
Administrata doganore shihet si një ndër institucionet parësore në procesin e integrimit, duke u përfshirë në dy kapituj të rëndësishëm, Kapitullin 29 për Bashkimin Doganor dhe Kapitullin 16 për akcizat dhe taksat nga Omer Saraçi transmeton rtsh.