INSTAT raporton se përgjatë vitit 2024, numri i të huajve që morën një leje qëndrimi ishte 21.940, ose 2,2% më shumë se në vitin 2023. Ndërkohë, shtetasit nga Italia, Turqia dhe India kryesojnë listën.
Sa i përket interesit për të marrë një leje pune në vendin tonë, kryesojnë shtetasit nga Turqia, Bangladeshi, India dhe Nepali.
“Së pari janë arsyet për çështje pune, si për punë sezonale, ashtu edhe për kontrata të përhershme, kryesisht nga 1- në 3-vjeçare. Arsyeja e dytë lidhet me lidhje të caktuara që kanë me Shqipërinë për çështje ofrimi shërbimi apo konsulence. Arsyeja e tretë ka të bëjë me bashkimin familjar,” thotë Erion Muça, ekspert i sektorit të turizmit.
Sektori i turizmit është një nga më të rëndësishmit në tërheqjen e fuqisë punëtore të huaj. Vetëm në fillim të këtij sezoni kishte nevojë për 20 mijë punëtorë.
“Kryesisht në këtë periudhë është sektori i turizmit, sektori i përpunim-prodhimit, i ndërtimit dhe më pas sektorët që ofrojnë shërbime,” tregon z. Muça.
Muça flet për një interes specifik në profesione të caktuara, ndërkohë që prania e forcës së punës vendase është në rënie.
“Nuk do të thoja që Shqipëria po bëhet e varur nga punonjësit e huaj, por për disa profile që kanë të bëjnë me punë të thjeshta elementare, për të cilat kanë nevojë industri të caktuara, tregu vendas i punës e ka të domosdoshëm marrjen e punonjësve nga jashtë,” shprehet eksperti.
Gjatë vitit të kaluar, qeveria nisi negociatat me autoritetet filipinase për të sjellë mijëra punonjës të kualifikuar, kryesisht për sektorin e turizmit, nga Omer Saraçi, tranmeton rsh.