Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar ashpër ndaj një lajmi, i publikuar së fundmi nga një media online me bazë në Zvicër, e cila pretendonte pa asnjë bazë faktike se tifozët shqiptarë nga Kosova janë të përjashtuar nga ndjekja e ndeshjes Shqipëri–Serbi, që do të luhet më 7 qershor në stadiumin “Air Albania”.
Në një reagim zyrtar, FSHF e ka quajtur këtë informacion “krejtësisht të pavërtetë dhe abuziv”, duke theksuar se i ka dërguar një komunikim zyrtar medias në fjalë dhe është në pritje të një përgjigjeje formale.
Federata sqaron se procesi i aplikimit për bileta do të jetë transparent dhe i hapur për të gjithë tifozët, pa asnjë lloj diskriminimi apo përjashtimi. Aplikimi nis më 15 maj përmes një formulari elektronik që do të publikohet në faqen zyrtare të FSHF-së dhe do të zgjasë për dy javë. Më pas, në fund të muajit, do të zhvillohet një short elektronik që do të përcaktojë tifozët që do të kenë të drejtë të blejnë biletat. Të përzgjedhurit do të njoftohen përmes email-it.
Në fund të deklaratës, FSHF fton të gjithë tifozët shqiptarë, kudo që ndodhen, të ndjekin vetëm informacionet zyrtare dhe të mos bien pre e lajmeve të rreme, duke theksuar angazhimin e saj për një organizim dinjitoz dhe gjithëpërfshirës të kësaj sfide të rëndësishme./KJ