Bayerni i Munihut dhe Borussia Dortmundi kanë barazuar me rezultat 2:2 në derbin e madh gjerman, në kuadër të javës së tetë të Bundesligës. Katër gola, emocione dhe rivalitet deri në minutat e fundit karakterizuan përballjen e zhvilluar në stadiumin “Allianz Arena” në Munih.
Dortmundi largohet me një pikë të rëndësishme.
Në minutën e 38-të, Bayerni kaloi në epërsi. Derisa disa ende po mendonin për golin e Dortmundit që ishte anuluar, vendasit organizuan një aksion të shpejtë. Olise shërbeu bukur në thellësi për Laimerin, i cili depërtoi drejt portës. Goditjen e parë të tij Kobel e ndali me këmbë, por Laimer reagoi shpejt dhe në tentimin e dytë e dërgoi topin në rrjetë për 1:0. Pjesa e dytë solli edhe më shumë emocione, në minutën e 56-të, sulmuesi anglez Harry Kane i afrohet topit me stilin e tij karakteristik dhe goditi në këndin e sipërm të majtë, por topi përplaset në traversë. Kështu, pak kohë pas fitimit të “Topit të Artë”, Kane humbet mundësinë që të shënojë dhe të jetë sërish në qendër të vëmendjes si golashënues.
Dortmundi arriti të barazojë në minutën e 60-të.
Schlotterbeck fitoi topin në gjysmëfushën kundërshtare dhe vazhdoi aksionin duke aktivizuar Chukwuemekën.
Ky i fundit depërtoi në zonën e penalltisë dhe pasoi te Guirassy, i cili me një goditje të fuqishme dhe të pandalshme në këndin e majtë barazoi shifrat në 1:1.
Megjithatë, epërsia e Bayernit u rikthye vetëm gjashtë minuta më vonë. Kimmich dërgoi një pasim të shkëlqyer me hark drejt Harry Kane, i cili e ktheu topin me kokë te Upamecano. Mbrojtësi francez, nga afërsia, nuk e pati të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë për 2:1. Kur dukej se Bayerni do t’i merrte të tri pikët, Dortmundi goditi në minutën e 89-të. Fabio Silva përfitoi nga një top i mbetur në zonën e penalltisë dhe reagoi shpejt, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të djathtë për rezultatin përfundimtar 2:2.
Pas këtij barazimi, Bayerni kryeson tabelën me 18 pikë, sa ka edhe Borussia Dortmundi, që renditet në vendin e dytë./K.Goca/BS










