POSTIMET E FUNDIT

Zvicër: Studim kombëtar vë në pikëpyetje aftësinë për vozitje pas moshës 75-vjeçare

Një studim kombëtar në Zvicër ka treguar se vlerësimi i aftësisë për vozitje te personat mbi 75 vjeç nuk bëhet në mënyrë të njëjtë në të gjitha kantonet. Specialistët kërkojnë teste më të sakta dhe standarde të unifikuara në nivel kombëtar. Studimi është realizuar nga Shkolla e Lartë për Punë Sociale dhe Shëndetësi në Lozanë së bashku me ZHAW, me porosi të Zyrës Federale të Rrugëve në Zvicër. Sipas rezultateve, sistemi shëndetësor aktualisht mund ta vlerësojë vetëm pjesërisht aftësinë për vozitje të personave mbi 75 vjeç ose të atyre me probleme njohëse. Ekspertët theksojnë se shumë nga testet neuropsikologjike që përdoren sot nuk japin një pasqyrë të saktë për mënyrën se si një person sillet realisht në trafik.

Dallime mes kantoneve

Aktualisht, aftësia për vozitje vlerësohet kryesisht nga mjekët dhe psikologët e trafikut. Profesionistë të tjerë si neuropsikologët, instruktorët e vozitjes apo ergoterapistët përfshihen shumë rrallë në Zvicër, ndryshe nga disa vende të tjera evropiane. Për më tepër, procedurat ndryshojnë nga një kanton në tjetrin, gjë që sipas autorëve të studimit mund të çojë në trajtim të pabarabartë të qytetarëve.

Propozime për teste më të qarta

Autorët e studimit propozojnë krijimin e një testi të standardizuar dhe të mbikëqyrur profesionalisht për vlerësimin e aftësisë për vozitje. Ata rekomandojnë gjithashtu një sistem vlerësimi me katër nivele – nga heqja e menjëhershme e patentës deri te konfirmimi i plotë i aftësisë për të drejtuar automjetin. Një tjetër propozim është që mjekët të ndjekin trajnime të detyrueshme për vlerësimin e shoferëve mbi 75 vjeç. Këto trajnime do të mund të ndiqeshin edhe nga specialistë të tjerë të fushës. Studimi sugjeron gjithashtu zgjerimin e shërbimeve mbështetëse për personat që duhet të dorëzojnë patentën ose që dëshirojnë të rikthehen në vozitje pas një periudhe pauze.

Kërkohet strategji kombëtare

Ekspertët rekomandojnë që të gjitha këto masa të përfshihen në një strategji kombëtare për vlerësimin e aftësisë për vozitje te personat mbi 75 vjeç dhe ata me probleme njohëse. Qëllimi është unifikimi i procedurave në të gjithë Zvicrën, mbështetja e profesionistëve dhe informimi më i mirë i publikut. Isabel Margot-Cattin, drejtuese e studimit “Cognitive assessment and follow-up of fitness to drive: Recommendations for Switzerland”, deklaroi se sfida kryesore është ruajtja e sigurisë në trafik duke garantuar njëkohësisht pjesëmarrjen sociale dhe lëvizshmërinë e qytetarëve të moshuar, transmeton zurioberland24, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB