Kompania zvicerane e kontrollit ajror, Skyguide, ka nisur një proces konsultimi për shkurtimin e mundshëm të deri në 220 vendeve të punës deri në fund të vitit 2027. Vendimi vjen si pasojë e presionit të madh ekonomik, rritjes së kostove operative dhe pasigurive lidhur me të ardhurat e kompanisë, transmeton 20min.ch. Sipas njoftimit zyrtar të Skyguide, vendet e punës që mund të preken ndodhen kryesisht në qendrat e kompanisë në Dübendorf dhe Gjenevë. Megjithatë, drejtuesit e trafikut ajror që janë të angazhuar drejtpërdrejt në operacionet e kontrollit të fluturimeve nuk pritet të preken nga masat e paralajmëruara. Kompania theksoi se siguria e trafikut ajror dhe vazhdimësia e operacioneve mbeten prioritet absolut. “Funksionimi i sistemit të kontrollit ajror nuk vihet në diskutim në asnjë moment,” thuhet në deklaratën e Skyguide.
Sipas planit paraprak, shkurtimet mund të realizohen në dy faza. Faza e parë parashikohet të zhvillohet mes shtatorit dhe nëntorit 2026, ku mund të eliminohen deri në 90 vende pune. Faza e dytë do të mund të ndodhte mes majit dhe qershorit 2027, me deri në 130 vende të tjera pune në rrezik. Skyguide argumenton se përballet me rritje të vazhdueshme të kostove të personelit dhe sistemeve teknologjike, si dhe me kërkesat e reja evropiane për efikasitet më të madh në sektorin e aviacionit. Kompania shton se strukturat e brendshme komplekse kanë ndikuar gjithashtu në nevojën për reforma dhe kursime. Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, vetëm gjatë vitit 2025, kostot e personelit kanë arritur në rreth 382 milionë franga zvicerane, ndërsa shpenzimet totale të kompanisë kanë kapur vlerën prej 576 milionë frangash. Në kuadër të procesit të konsultimit, Skyguide ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me sindikatat dhe përfaqësuesit e punëtorëve për të gjetur alternativa që mund të shmangin pushimet nga puna ose të paktën të reduktojnë numrin e tyre. Mes opsioneve që po shqyrtohen janë kufizimi i punësimeve të reja, pensionimi i parakohshëm, transferimet e brendshme dhe zvogëlimi i përdorimit të stafit të jashtëm.
Procesi i konsultimit do të zgjasë deri më 18 qershor 2026. Deri atëherë, punonjësit, sindikatat dhe përfaqësuesit e stafit mund të paraqesin propozime konkrete për zbutjen e masave të planifikuara.
Lajmi ka ngjallur shqetësim në mesin e punonjësve dhe opinionit publik në Zvicër, pasi Skyguide konsiderohet një institucion kyç për sigurinë dhe funksionimin e trafikut ajror në vend. Ekspertët paralajmërojnë se sektori i aviacionit në Evropë po përballet me presione të mëdha financiare dhe teknologjike, të cilat po i detyrojnë kompanitë të rishikojnë strukturat dhe kostot e tyre operative, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.
Foto ilustrim




