Një video virale ka hapur një debat të gjerë në rrjetet sociale në Zvicër, duke vënë në pikëpyetje një realitet të përditshëm familjar: A mund t’u besohen fëmijët baballarëve pa pasur nevojë për ndihmën e gjysheve, dadove apo personave të tjerë?
Udhëtimet e fundjavës mes shoqeve, larg përditshmërisë familjare, duhet të jenë një mundësi për pushim dhe relaksim. Por, kur bëhet fjalë për nënat që udhëtojnë pa fëmijët e tyre, një pyetje duket se përsëritet: Kush kujdeset për fëmijët në shtëpi?
Pikërisht kjo pyetje është bërë temë diskutimi pas publikimit të një videoje virale, në të cilën tetë gra tregojnë se kush kujdeset për fëmijët gjatë mungesës së tyre. Edhe pse shumica përmendin bashkëshortët, në përgjigjet e tyre shfaqen edhe vjehrrat, nënat e tyre apo dadot, transmeton 20min.ch. Arsyetimi i disa prej tyre është se bashkëshortët vazhdojnë të punojnë dhe nuk mund të marrin ditë pushimi. Prandaj, për të mundësuar udhëtime më të gjata, familjarë të tjerë ndihmojnë në përkujdesjen ndaj fëmijëve.
Por, a është kjo thjesht ndihmë familjare apo një dëshmi se përgjegjësia për fëmijët ende nuk ndahet në mënyrë të barabartë?
A nuk mund të kujdeset babai i vetëm për fëmijët?
Videoja ka nxitur reagime të shumta dhe komente të ndryshme. Disa përdorues kanë ngritur pyetjen se përse duhet të përfshihen gjithmonë gra të tjera në përkujdesjen ndaj fëmijëve, kur edhe babai është prind i barabartë. Të tjerë kanë shkuar edhe më tej, duke argumentuar se një nënë duhet të ketë besim të plotë te bashkëshorti i saj dhe të mos e konsiderojë të domosdoshme praninë e një personi tjetër kur ajo largohet për disa ditë. Nga ana tjetër, ka edhe zëra që i mbrojnë këto nëna, duke theksuar se ndihma nga gjyshërit apo dadot nuk është shenjë mosbesimi ndaj baballarëve. Nëse babai është në punë, është krejt e natyrshme që familja të organizohet dhe të kërkojë mbështetje shtesë.
Në Zvicër, shifrat tregojnë dallime të dukshme
Debati nuk është vetëm çështje opinionesh. Të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave në Zvicër tregojnë se nënat dhe baballarët ende nuk e ndajnë në mënyrë të barabartë kohën për përkujdesjen ndaj fëmijëve dhe punët e shtëpisë. Sipas statistikave të publikuara, nënat në familjet me fëmijë nën moshën 15-vjeçare shpenzojnë mesatarisht 21,5 orë në javë për përkujdesjen ndaj fëmijëve, ndërsa baballarët 13,8 orë. Dallimi vërehet edhe te punët e shtëpisë: nënat shpenzojnë mesatarisht 31,3 orë në javë, ndërsa baballarët 15,8 orë. Edhe punësimi me orar të pjesshëm dëshmon një dallim të madh. Sipas të dhënave të BFS-së, 74 për qind e nënave me fëmijë nën moshën 25-vjeçare punojnë me kohë të pjesshme, kundrejt vetëm 14 për qind të baballarëve. Këto shifra tregojnë se barra e organizimit familjar dhe e përkujdesjes vazhdon të rëndojë më shumë mbi gratë, edhe pse roli i baballarëve në jetën e fëmijëve është gjithnjë e më i rëndësishëm.
Pyetja që mbetet: A vlejnë standardet e njëjta për të dy prindërit?
Një tjetër çështje e ngritur në këtë debat është se si reagohet kur babai udhëton pa familjen. A kërkohet që nëna të ketë ndihmë shtesë për t’u kujdesur për fëmijët, apo konsiderohet krejt normale që ajo t’ia dalë e vetme? Në thelb, diskutimi nuk ka të bëjë me kundërshtimin e ndihmës së gjysheve, gjyshërve apo dadove. Përkundrazi, mbështetja familjare është e rëndësishme. Çështja është nëse babai shihet dhe trajtohet si një prind që mund të marrë përgjegjësi të plotë për fëmijët e tij, pa pasur nevojë që gjithmonë një grua tjetër të jetë pranë.
Sepse prindërimi nuk është vetëm përgjegjësi e nënës. Është përgjegjësi e përbashkët e të dy prindërve.
Debati mbetet i hapur edhe për familjet shqiptare që jetojnë në Zvicër: Kur nëna udhëton, a kujdeset babai i vetëm për fëmijët?
A ndërhyjnë gjyshet, gjyshërit apo dadot? Dhe a trajtohen njësoj nëna dhe babai kur vendosin të kalojnë disa ditë pushimi larg familjes?, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch.










