Arbitrimi shqiptar vazhdon të fitojë vlerësime në arenën ndërkombëtare. UEFA i ka besuar arbitres shqiptare Emanuel Rusta drejtimin e një prej ndeshjeve më të rëndësishme të javës së katërt të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve për femra, mes Juventusit dhe gjigantit francez OL Lyonnes.
Përballja mes dy skuadrave të njohura të futbollit evropian do të zhvillohet të mërkurën, duke filluar nga ora 21:00, ndërsa në qendër të vëmendjes do të jetë edhe arbitra shqiptare, e cila do të ketë përgjegjësinë e drejtimit të këtij takimi prestigjioz.
Në njërën anë do të jetë Juventusi, një prej emrave të rëndësishëm të futbollit italian të femrave, ndërsa në anën tjetër OL Lyonnes, skuadra franceze me histori të jashtëzakonshme në këtë kompeticion, e cila ka fituar plot tetë herë trofeun e Ligës së Kampionëve.
Për Emanuel Rustën, ky emërim përfaqëson një tjetër dëshmi të besimit që institucionet ndërkombëtare të futbollit kanë ndaj profesionalizmit të saj. Njëkohësisht, është edhe një moment krenarie për arbitrimin shqiptar, i cili po vazhdon të afirmohet në garat më të rëndësishme evropiane.
Prania e një arbitreje shqiptare në një përballje të këtij niveli dëshmon se puna, përkushtimi dhe profesionalizmi mund të hapin dyert e skenave më prestigjioze të futbollit ndërkombëtar, transmeton tch.










