Ambasadori Blerim Reka vlerëson filmin si një rrëfim të fuqishëm që përcjell kujtesën e Kosovës përtej kufijve. Ambicia e kinematografisë kosovare për të lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare po merr një tjetër dimension me filmin “DUA”, i cili është përzgjedhur si propozimi zyrtar i Kosovës për çmimin prestigjioz Oscar, në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.
Në këtë kuadër, ambasadori dhe shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, Blerim Reka, ka pritur në takim regjisoren Blerta Basholli dhe producentin Valon Bajgora, pjesë e ekipit realizues të filmit. Përmes një postimi, Reka ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji filmi “DUA” do të prezantohet edhe para publikut në New York, duke i dhënë një mundësi tjetër rrëfimit artistik kosovar të depërtojë te publiku ndërkombëtar. Ambasadori Reka e ka cilësuar filmin si një vepër me rrëfim të fuqishëm, që i jep zë kujtesës së Kosovës dhe e përcjell atë përtej kufijve shtetërorë. Ai ka theksuar gjithashtu se talenti dhe përkushtimi i artistëve kosovarë dëshmojnë se kultura dhe arti janë ambasadorë të rëndësishëm të vendit në botë. Në fund, Reka i ka uruar regjisores Blerta Basholli, producentit Valon Bajgora dhe gjithë ekipit suksese në rrugëtimin drejt Oscar-it. Filmi “DUA” përfaqëson një tjetër mundësi që historia, kultura dhe krijimtaria e Kosovës të dëgjohen në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se arti nuk njeh kufij dhe se një rrëfim i realizuar me talent e përkushtim mund ta bëjë një vend të njohur shumë përtej përmasave të tij, transmeton rtk.










