POSTIMET E FUNDIT

Zvicër: Fëmijët po rriten më shpejt se sa mendohej, prezantohen kurba të reja të rritjes

Cyrih – Pediatrit në Zvicër janë udhëzuar që nga kjo javë të përdorin kurba të reja kombëtare të rritjes për fëmijët dhe adoleshentët. Të dhënat e reja tregojnë se fëmijët zviceranë janë mesatarisht më të gjatë dhe se normat e mbipeshës janë më të ulëta sesa vlerësimet e deritanishme. Sipas organizatës profesionale të pediatërve zviceranë, kurbat e përdorura që nga viti 2011 mbështeteshin pjesërisht në të dhëna ndërkombëtare dhe nuk pasqyronin më realitetin aktual të popullsisë së vendit. Për këtë arsye, ekspertët kanë zhvilluar një sistem të ri referimi, i bazuar ekskluzivisht në të dhëna të mbledhura në Zvicër. Studimi është realizuar nga Qendra Pediatrike Endokrinologjike e Zyrihut nën drejtimin e profesorit Urs Eiholzer. Në hulumtim janë përfshirë më shumë se 43 mijë fëmijë dhe të rinj nga të gjitha rajonet gjuhësore të vendit. Përmasat e studimit konsiderohen të jashtëzakonshme, pasi është matur dhe peshuar afërsisht çdo i 40-ti fëmijë që jeton në Zvicër.

Fëmijët janë më të gjatë se sa tregonin standardet e mëparshme

Rezultatet tregojnë se fëmijët në Zvicër janë mesatarisht deri në katër centimetra më të gjatë sesa parashikonin kurbat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të cilat përdoreshin më parë si referencë.

Kjo diferencë ka rëndësi të madhe për diagnostikimin e hershëm të problemeve shëndetësore. Sipas specialistëve, çrregullime si mungesa e hormonit të rritjes, sëmundja celiake apo problemet me gjëndrën tiroide mund të identifikohen më shpejt dhe më saktë. Në të njëjtën kohë, pritet të shmangen ekzaminime dhe analiza të panevojshme për fëmijët që në fakt zhvillohen normalisht sipas standardeve zvicerane.

Më pak fëmijë me mbipeshë se sa mendohej

Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me mbipeshën. Studimi arrin në përfundimin se rreth 13.5 për qind e fëmijëve në Zvicër janë mbipeshë, një shifër dukshëm më e ulët se vlerësimet e mëparshme që shpesh përmendnin rreth 20 për qind. Megjithatë, studiuesit kanë evidentuar dallime të konsiderueshme midis grupeve të ndryshme të popullsisë. Fëmijët me prejardhje familjare nga Evropa Jugore dhe Juglindore rezultojnë të kenë rrezik më të lartë për mbipeshë dhe obezitet krahasuar me fëmijët me prindër zviceranë.

Të dhënat kombëtare, thelbësore për vlerësime të sakta

Ekspertët theksojnë se përdorimi i të dhënave kombëtare është vendimtar për të vlerësuar saktë zhvillimin fizik të fëmijëve dhe për të identifikuar në kohë rreziqet shëndetësore. Kurbat e reja pritet të përmirësojnë cilësinë e kujdesit pediatrik dhe të ofrojnë një pasqyrë më reale të gjendjes shëndetësore të brezit të ri në Zvicër. Me hyrjen në fuqi të këtyre standardeve të reja, Zvicra synon të vendosë një bazë më të saktë shkencore për monitorimin e rritjes së fëmijëve, duke ndihmuar mjekët dhe prindërit të marrin vendime më të informuara për shëndetin e tyre, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.

(Foto ilustrim)

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB