BallinaDiasporaDASHNIM HEBIBI SOT DO TË NDEROHET NË ITALI ME “LAUREA HONORIS CAUSA”...

DASHNIM HEBIBI SOT DO TË NDEROHET NË ITALI ME “LAUREA HONORIS CAUSA” DHE ÇMIMIN NDËRKOMBËTAR “EUROPEAN AWARD OSCAR WILDE 2026”

-

Përgatiti: Dahest LUMA

Gazetari prej vitit 1995, autori i 35 librave, doktori i shkencave politike dhe veprimtari i njohur i mërgatës shqiptare në Zvicër, Dashnim Hebibi, do të nderohet më 14 nëntor 2026 në Itali, në kuadër të ceremonisë ndërkombëtare “European Award Oscar Wilde”. Krahas çmimit, pllakës dhe medaljes së nderit, atij i është propozuar edhe mirënjohja “Laurea Accademica Honoris Causa” në fushën e shkencave filozofike dhe letrare.

Një tjetër vlerësim ndërkombëtar i shtohet rrugëtimit shumëvjeçar të gazetarit, publicistit, autorit dhe veprimtarit shqiptar Dashnim Hebibi, i cili jeton dhe vepron në Zvicër që nga viti 2000. Pas më shumë se tri dekadash në gazetari, me dhjetëra botime dhe angazhime të vazhdueshme në jetën kulturore, akademike, humanitare dhe kombëtare, ai do të jetë ndër personalitetet e nderuara në edicionin e vitit 2026 të çmimit “European Award Oscar Wilde”. Ceremonia do të mbahet më 14 nëntor 2026, në orën 15:30, në Kishën Sant’Agostino, në qytetin Castiglion Fiorentino, në provincën e Arezzos, Itali. Aktiviteti organizohet nën drejtimin e presidentit të çmimit, prof. Luca Filipponi, ndërsa në strukturën drejtuese është edhe zëvendëspresidentja, Dr. Sabrina Morelli. Të dy kanë qenë në komunikim me Dashnim Hebibin lidhur me pjesëmarrjen dhe nderimin e tij në këtë aktivitet ndërkombëtar. Sipas komunikimit të organizatorëve, Hebibi është përfshirë në mesin e personaliteteve që do të nderohen në këtë edicion. Krahas çmimit “European Award Oscar Wilde”, atij i është propozuar edhe mirënjohja e emërtuar “Laurea Accademica Honoris Causa”, në fushën e shkencave filozofike dhe letrare, e shoqëruar me diplomën përkatëse dhe medaljen e nderit.

31 vjet gazetari – një jetë në shërbim të fjalës së lirë

Dashnim Hebibi ka nisur rrugëtimin në gazetari në vitin 1995. Që atëherë, për 31 vjet me radhë, fjala e shkruar është bërë pjesë e pandashme e jetës së tij. Ai i përket gjeneratës së gazetarëve që e kanë parë gazetarinë jo vetëm si profesion, por edhe si përgjegjësi ndaj shoqërisë, historisë dhe së vërtetës. Pas studimeve për gazetari në Tiranë, rrugëtimin profesional e vazhdoi në hapësirat shqiptare dhe më pas në Zvicër, ku u vendos në vitin 2000. Në këtë vend ndërtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij mediatike, duke u angazhuar në gazetari, redaktim, publicistikë dhe komunikim. Ka drejtuar dhe bashkëpunuar me media të ndryshme shqiptare, ndërsa aktualisht është i lidhur ngushtë me projektin mediatik HelveticALForum.ch, me moton domethënëse: “Fuqia e fjalës së lirë”. Në një kohë kur gazetaria shpesh përballet me presionin e klikimeve, interesave dhe ndikimeve të ndryshme, Hebibi ka shprehur vazhdimisht bindjen se fjala e lirë duhet të ruajë dinjitetin, përgjegjësinë dhe pavarësinë e saj.

35 libra dhe një rrugëtim akademik

Dashnim Hebibi është autor i 35 librave, ku përfshihen publicistika, intervistat, reflektimet shoqërore dhe botimet me karakter kulturor e dokumentues. Ai ka mbrojtur doktoraturën më 24 mars 2023, në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, duke marrë gradën doktor i shkencave politike. Aktualisht është president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me qendër në Zvicër, përmes të cilit synon të kontribuojë në zhvillimin e mendimit shkencor, afirmimin e intelektualëve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet hapësirave shqiptare dhe atyre evropiane. Një vend të veçantë në krijimtarinë e tij zë projekti “Gratë Frymëzuese të Diasporës Shqiptare”, përmes të cilit ka dokumentuar dhe promovuar historitë e grave shqiptare që kanë ndërtuar karrierë dhe kanë dhënë kontribut në shoqëritë ku jetojnë. Ky projekt, me dy vëllime dhe 186 intervista, përfaqëson një përpjekje për të ruajtur kujtesën dhe për të afirmuar sukseset e grave shqiptare në mërgatë. Ndër veprat e tij të njohura është edhe “Alfabeti i Jetës”, krahas botimeve të tjera që trajtojnë tranzicionin, shoqërinë dhe zhvillimet shqiptare.

Mërgata shqiptare – arteria e kombit

Një pjesë e rëndësishme e jetës së Dashnim Hebibit është e lidhur me mërgatën shqiptare. Ai e ka cilësuar vazhdimisht atë si “arterien e kombit”, duke theksuar se shqiptarët jashtë atdheut nuk duhet të shihen vetëm përmes suksesit ekonomik, por edhe përmes dijes, kulturës, arsimit, humanizmit dhe kontributit kombëtar. Për afro dy dekada është i angazhuar edhe në disa shoqata humanitare nga Lugina e Preshevës në Zvicër, përmes së cilës janë zhvilluar iniciativa të ndryshme në mbështetje të familjeve dhe njerëzve në nevojë. Kontributi i tij shtrihet edhe në fushën e arsimit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe. Për më shumë se 25 vjet ka mbështetur dhe promovuar rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe te brezat e rinj në mërgatë.  Në vitin 2011 ishte nderuar me titullin Ambasador i Paqes nga veprimtari dhe personaliteti i njohur shqiptar Adem Demaçi. Gjithashtu, është vlerësuar për angazhimet e tij në jetën kulturore dhe shoqërore shqiptare në Zvicër.

Një tjetër kapitull në krijimtarinë e tij më 28 Nëntor

Nderimi në Itali vjen në një periudhë të veçantë për jetën e tij personale dhe krijuese. Më 28 nëntor 2026, në Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, pritet të botohet libri i tij i ri, me titullin “50 VJET JETË, NJË PËRJETËSI PYETJESH”. Është një vepër reflektuese, ku pesëdhjetë vitet e jetës shndërrohen në pyetje, kujtime, përvoja dhe mendime për njerëzit, kohën, dashurinë, humbjet, dinjitetin dhe kuptimin e ekzistencës. Në përgatitjen e këtij libri kanë kontribuar edhe njerëz të afërt me autorin. Kopertina dhe përgatitja grafike janë realizuar nga Berat Thaqi, redaktor i shtëpisë botuese “Libri im” në Pejë, ndërsa redaktimi i është besuar Jeton Arifit, të cilin Hebibi e konsideron një vëlla dhe njeri të fjalës.Një falënderim të veçantë autori ua ka kushtuar edhe fëmijëve të tij, Deas, Edës dhe Adit, të cilët kanë ruajtur kursimet e tyre nga ditëlindja e tij e 50-të për ta ndihmuar në realizimin e librit. Një gjest familjar që për të ka kuptim shumë më të madh se vetë mbështetja materiale.

Nderimet kanë vlerë kur pas tyre qëndrojnë vepra

Për PhD. Dashnim Hebibin, rrugëtimi nuk është ndërtuar vetëm mbi tituj, mirënjohje dhe ceremoni. Ai ka kaluar nëpër periudha të ndryshme të gazetarisë dhe jetës publike, duke qenë pranë njerëzve, duke dokumentuar histori dhe duke u përpjekur që zëri i mërgatës shqiptare të dëgjohet më gjerë. Çmimi “European Award Oscar Wilde 2026” dhe mirënjohja e propozuar “Laurea Accademica Honoris Causa” përbëjnë një tjetër moment në këtë rrugëtim. Përtej ceremonive, Dashnim Hebibi vazhdon të besojë se njeriu nuk duhet të jetojë vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë; jo vetëm për t’u duartrokitur, por për të lënë gjurmë. Në një nga mesazhet që përshkon krijimtarinë e tij, ai i kushton rëndësi jo pasurisë, emrit apo lavdisë, por njerëzores, asaj që mbetet brenda njerëzve edhe kur koha kalon. Nderimi në Itali është një tjetër ndalesë në rrugëtimin e një shqiptari nga Zvicra, i cili për 31 vjet i ka kushtuar një pjesë të madhe të jetës gazetarisë, librit dhe çështjeve që lidhen me identitetin shqiptar. Sepse, në fund, nuk janë vetëm titujt ata që e përcaktojnë njeriun. Janë veprat që lë pas, njerëzit që ka ndihmuar dhe fjala që vazhdon të jetojë edhe pas tij. Më vonë do të japim detaje të tjera, pasi të nderohet me çmimin.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Komandanti i KFOR-it takohet me gjeneralin e Forcave të Armatosura të...

0
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka zhvilluar një takim me gjeneral brigade Gunars Kaulins nga Forcat e Armatosura...