Ish-ylli i kombëtares së Zvicrës dhe kapiteni i FC Baseit, Xherdan Shaqiri, po e shikon një Kampionat Botëror nga shtëpia e tij për herë të parë pas një kohe të gjatë. “Në analizën e tij, 34-vjeçari ankohet për fokusin e tepërt në çështjet anësore.
Trajneri i FC Baselit, Stephan Lichtsteiner, po përpiqet të mësojë nga kjo”, ka shkruar media zvicerane “Blick”.
Një turne i madh për ekipin kombëtar zviceran pa Xherdan Shaqirin (34) është ende pothuajse i paimagjinueshëm për shumë tifozë.
Mediat sociale janë plot me postime nga tifozët që vajtojnë golat spektakolarë të kapitenit të FC Basel në Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian.
Për vetë 34-vjeçarin, përjetimi i një Botërori larg fushës është diçka e veçantë.
Gjatë një takimi me mediat në nisje të përgatitjeve me Baselin, Shaqiri pranoi se ishte ndjesi e pazakontë ta ndiqte turneun nga shtëpia. Ka qenë paksa e çuditshme, sepse gjithmonë kam qenë pjesë e kombëtares në turne të mëdhenj.
Nga ana tjetër, ishte bukur t’i shihja ndeshjet nga shtëpia, të analizoj çdo detaj dhe ta përjetoj ndryshe gjithë atmosferën”, tha ai.
Mesfushori me përvojë dha edhe vlerësimin e tij për situatën rreth kombëtares zvicerane: “Si gjithmonë, po flitet tepër për gjëra anësore.
Kjo ka ndodhur gjithnjë. Futbollistët dhe stafi duhet të fokusohen te gjërat esenciale dhe te ajo që ndodh në fushë”.
Pushimet verore ai i kaloi në Evropë, megjithëse tregoi se kishte mundësi të udhëtonte edhe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ish-ylli i Zvicrës zbuloi se kishte marrë një ftesë speciale nga FIFA përmes programit të legjendave të futbollit.
“Mora ftesë nga FIFA Legends për t’i ndjekur ndeshjet nga afër.
Do të kisha dashur shumë të shkoja, por gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe i kisha organizuar tashmë planet e tjera.
Do të kishte qenë fantastike ta ndiqja ndeshjen hapëse bashkë me legjendat e futbollit. U thashë: ndoshta do të vij për finalen”, tha ai me buzëqeshje.
Edhe trajneri i Baselit, Stephan Lichtsteiner, po e ndjek me vëmendje paraqitjen e Zvicrës në Botëror dhe sheh shumë elemente pozitive te skuadra e drejtuar nga Murat Yakin.
“Më pëlqen mënyra se si Murat e menaxhon ekipin. Është interesante të shohësh qasjen e tij dhe mund të mësoj shumë prej saj”, tha ish-mbrojtësi i njohur zviceran.
Lichtsteiner nuk sheh arsye për shqetësim pas barazimit të Zvicrës ndaj Katarit.
Përkundrazi, ai beson se kombëtarja tregoi nivel të lartë loje dhe i mungoi vetëm konkretizimi i rasteve.
“Nuk besoj se Zvicra duhet të shqetësohet. E kam parë ndeshjen dhe, në përgjithësi, ishte pothuajse perfekte.
Nëse dikujt do t’ia tregonit vetëm statistikat dhe jo rezultatin, shumica do të thoshin se ndeshja ka përfunduar 3:1 ose edhe 4:1 për Zvicrën”, deklaroi ai.
“Pashë një skuadër zvicerane që luajti mirë, por ndoshta i mungoi pak besimi për ta mbyllur ndeshjen me fitore.
Megjithatë, loja më pëlqeu shumë”, përfundoi ai. /K.Goca/BS




